Inside Story/ Episodi i panjohur, shkuan t’i arrestonin xhaxhanë, skuadra policore iu nënshtrua të fortit të Fierit

13/09/2022 22:07

Në Maj të vitit 2007 në zonën e Sheqit policia tentoi të arrestojë xhaxhanë e Ben Qimes, Ahmet Isufaj.

Ai ishte shpallur në kërkim për trafikimin e 173 kilogramëve kanabis. Lënda narkotike u bllokua në ambulancën e spitalit të Fierit në autostradën Tiranë-Durrës. Një skuadër policie me në krye shefin e krimeve tentuan të shoqërojnë Ahmet Isufajn.

Por, para u doli një person i armatosur që i kërcënoi me armë. Asnjë prej policëve nuk guxoi ti kundërpërgjigjet. Ata nuk guxuan as ti përmendin emrin në ligjëratë të drejtë në dëshmitë e dhëna.

“Njëri nga personat e tjerë që ishin me Ahmetin u është drejtuar punonjësve të policisë duke u thënë që ‘nuk e shoqëron dot ti se erdhi Ben Qimja”.

Mbi 15 efektivë nuk ishin në gjendje të përballen dhe u larguan me duar bosh. Sot, Arben Isufaj njihet si një biznesmen i fuqishëm në Fier e më gjerë kryesisht në sektorin e ndërtimit, punë publike dhe shërbime.

“Këto lloj fenomenesh, zhvillohen dhe ndodhin edhe për shkak të hapësirave ligjore, p.sh bashkitë nuk disponojnë mundësi që të mos japin leje ndërtimi për personazhe të tillë, nuk ka tagër bashkia, që të pengojë dhënie elje, e vërteta është që ndërtimi është fusha ku janë pastruar paratë e krimit më shumë në Shiqpëri”, u shpreh Petro Koçi, deputet i PS.

Referuar dosjes hetimore të SPAK lidhur me hetimin pasuror ndaj Isufajt në vitin 2021, rezulton se ai ka fituar tendera të shumtë në kompaninë shtetërore të naftës. Prokurorët arritën në konkluzionin se tenderat fitoheshin nga kompani me emra të tjerë, por që kontrollohen nga Isufaj.

“Unë dua të shquaj Albpetrol, edhe aty ka pa diskutim terren ku këta personazhe kanë ndërhyrë dhe vijojnë të marrin financa”, u shpreh deputeti i PS, Petro Koçi.

Sipas këtij dokumenti nga dosja hetimore, në një rast të vetëm Isufaj ka dhënë plot 7 milionë euro cash për blerje nafte nga Albpetrol. Madje, ka zëra në Fier që thonë se shpesh me pagesa të tilla shteti është ndihmuar të shlyejë pagat pasi ka pasur arkën bosh.

“Ata u bënë shumë të rëndësishëm për pushtetin vendor se nëse nuk ishe bashkë punim me ta pushteti e kishte vështirë të kryente edhe detyrat”, u shpreh Artan Hoxha, gazetar.

“Janë shumë novatorë, fierakët janë të parët që u kthyen nga bota e krimit, nga kriminelë nga pjesëtarë organziatash kriminalë u kthyen në biznesmenë, sot janë biznesmenë të ligjshëm” u shpreh gazetari, Artan Hoxha.

Isufaj i ka mbyllur hesapet me drejtësinë duke shmangur edhe ekstradimin në Itali. Ai është dënuar nga Gjykata e Torinos lidhur me disa episode trafiku kokaine nga Holanda. Me vendimin e datës 26 Mars 2015, Gjykata e Fierit rrëzoi përfundimisht kërkesën për ekstradimin e Isufajt. Në Fier ai konsiderohet i paprekshëm. Ben Qimja, hyri në botën e errët si djalë i rregullt që u detyrua nga vrasja e të atit.  Sot, ai është një prej personazheve më influentë.

“Të gjithë posedojmë informacion kriminalë brenda vetes por janë rrethana që ky ky informacion mund të shprehet me veprime konkrete ose jo, ambjneti i asaj tradite në Fier bën të mundur të kenë premise më shumë që gjatë jetës së ndershme kanë pësuar një traumë, pastaj është shoqëria element të krimit që të shtyjnë të identifikohesh me ta, dhe jo me njerëzit e ndershëm”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Top Channel