Krerët e familjeve mafioze në Fier njihen si pronarë biznesesh dhe kompanish që fitojnë thuajse 100 % të tenderave publikë në qark.

Në marrëveshje mes tyre, ata vendosin se kush do të marrë çfarë.

“Grupet e Fierit ishin të parat që u kthyen në biznese, pra filluan të pastronin para, të legalizonin bizneset e ligjshme e suksesshme, s’ishin të parat që u përfshinë në investime publike, që e bënte vetëm mafia në Itali”, u shpreh gazetari, Artan Hoxha.

“Në atë qytet nuk di të më ketë dalë një emër biznesmeni mos jetë përfolur për një lidhje diku, prostitucion, drogë”, u shpreh Dritan Zagani, ish shef i Antidrogës në Fier.

“Por sigurisht përballë një shteti që ka qenë i dobët s’janë prekur kurrë, tani janë sofistikuar, burimet e tyre të financuara nga trafiku drogës, por pse jo dhe trafiku femrave, tani po përdoren për të ngritur biznese legale. Biznese të cilat tashmë janë vënë edhe në garë për tendera publikë”, u shpreh deputeti i PS, Petro Koçi.

Vitin e kaluar, bëri bujë denoncimi publik i kreut të Partisë Socialiste të Fierit Petro Koçi për futjen e duarve të krimit të organizuar te paratë publike.

Ai u thirr nga SPAK por gjithçka u mbyll aty.

“Është e qartë që këto grupe kriminale janë duke marrë financa publike, në një mënyrë fatkeqësisht legale. Kjo lloj marrëdhënie me financat po forcon një pushtet financiaro-ekonomik të grupeve kriminal që do thotë, do përkthehet dhe pushtet politik”, u shpreh Petro Koçi, deputet i PS.

“Janë të përfshirë që nga tenderat e bashkisë, tenderat kombëtarë, pasuritë e zonës, hidrokarburet, bregdeti i Semanit, pra në grykëderdhjen e Semanit, ndarje trojesh, kullota”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

“Fieri në lidhje me marrëdhëniet që kanë krijuar organizatat kriminale me institucionet shtetërore ka qenë shumë i zhdërvjellët për ti parë në dobinë e tij”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Deputeti Petro Koçi u gjend përballë sulmeve të zyrtarëve lokalë pas denoncimit. Shumica e drejtuesve të organizatave lokale të Partisë Socialiste, të lidhur me drejtuesit e institucioneve vendore i kërkuan kryeministrit Rama shkarkimin e Koçit përmes një letre konfindenciale.

“Ajo që më bëri përshtypje ishte reagimi zyrtarëve, pra nga shumë zyrtarë ka pasur reagim negative, gati armiqësor që do thotë se kam pasur të drejtë plotësisht, pra reagimi nga zyrtarët për mua ishte komprometues”, u shpreh Petro Koçi, deputet i PS.

Top Channel