“I shpallur non grata për korrupsion”, Balla: SPAK të nisë hetimet për Sali Berishën ( paralajmëron ndryshime ligjore)

13/09/2022 10:54

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kërkoi sot nga SPAK të nisë hetimet për ish kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të SHBA e Britanisë për ta shpallur non grata.

Balla tha se nuk e konsideron kërkesën e tij si presion ndaj drejtësisë, për sa kohë vendimi vjen nga aleati strategjik i Shqipërisë.

“Unë besoj se SPAK duhet të japë një përgjigje për çështjen dhe të fillojë hetimet duke filluar edhe me kërkesën zyrtare që duhet t’u dërgojë SHBA-së. Është e paparanueshme që Sali Berisha I shpallur person non grata, si i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe kjo nuk shoqërohet me hetime të thella. Nuk është presion ndaj drejtësisë, po shpreh këndvështrimin tim dhe kam pasur qëndrim për këto çështje ka ekzistuar që para se SPAK të lindte.

Unë kam kallëzuar për të dyja çështjet, edhe OSSH – CEZ dhe për kompleksin ‘Partizani’. Për kompleksin ‘Partizani’, prokurori më ka marrë deklarimin dhe kam besim që çështja do të ecë në drejtimin e duhur.’ – tha Balla ndërsa theksoi se kur një person shpallet ‘non grata’, ky person në Shqipëri duhet hetuar s’mund të lihet në dëshirën e prokurorit, aq më tepër kur vendimin për shpalljen non grata vjen nga aleati më i rëndësishëm si SHBA dhe Britania e Madhe.

Ndër të tjera  kreu i grupit parlamentar të PS, paralajmëroi ndryshime në kuadrin ligjor, ndërsa tha se instituticonet duhet ta kenë detyrim, kur një person shpallet non grata duhet hetuar në menjëherë.

Ne duhet të rrisim dhe të përmirësojmë kuadrin ligjor me detyrimin e institucioneve ligjore kur një person shpallet non grata, ky person duhet hetuar në mënyrë të thelluar dhe mënyrë të menjëhershme, nuk mund të lihet në dëshirën e prokurorisë. Tashmë edhe nga Britania e Madhe dhe në dokumentin e bërë publik jepen edhe emra konkre dhe askush nuk thërritet.’-vijoi Balla.

Top Channel