Me nisjen e shkollave dhe kopshteve, edhe puna nëpër qendrat shëndetësore shtohet. Mjekja pediatre Valbona Shahinaj, po viziton pacienten e vogël, Tean.

“Vajzën e kam patur prej ditësh me rrufë dhe temperaturë. Por tani po përmirësohet dhe e ka sjellë për rikontroll tek mjekja. Sot e çova për herë të parë në çerdhe, por kam merak ndaj e lashë vetëm 1 orë, sa për t’u ambientuar”- shprehet nëna e Teas.

Valbona Shahinaj, Pediatre: Mosha që po paraqiten më shumë janë të vegjlit, sepse ka filluar frekuentimi i çerdheve, kopshteve dhe parashkollori. Sidomos fëmijët që kanë shkuar për herë të parë në këto institucione, janë më vulnerabël, pasi shkojnë direkt tek grupimet që kanë qenë më përpara në kopshte, çerdhe apo parashkollor. Këta fëmijë të rinj, nuk janë të ambientuar dhe normalisht marrin mikrobet atje, por për të gjithë prindërit e rinj që i çojnë për herë të parë në këto institucione, unë këshilloj të mos bëhen merak, sepse është normale që do të kenë këto situata.

Këto kohë po vijnë më pak fëmijë më diarre dhe të vjella, pra me gastrointerite, por janë shtuar rastet me laringit, për shkak të fresikimit të kohës, si dhe Angina purulente, ose grykët e qelbëzuara.

Përsa u përket infektimeve me Covid, pediatrja thotë se situata duket më e qetësuar krahasuar me fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, kur vetëm një mjek pediatër kishte 20-30 raste në ditë.

Valbona Shahinaj: Rastet me Covid nuk është se mungojnë, por janë shumë të paktë në numër. Një nga këshillat që do të jepja tani me fillimin e shkollës, është që të shmangim grumbullimet dhe qëndrimet shumë afër me njëri-tjetrin, të shmangim puthjet. Të jenë të qetë dhe të shijojnë rikthimin në shkollë, por të jenë edhe vigjilentë.

Top Channel