Gjykata e Apelit në Durrës ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë duke e lënë të lirë Ismail Morinën, i njohur ndryshe edhe si Ballist Morina.
Ai u bë i njohur pasi ngriti dronin me flamurin shqiptar “Autochthonous” mbi stadiumin e Beogradit në 2014-n.
Më 25 maj të këtij viti, Morina u arrestua nga policia në Kukës për llogari të Durrësit, pasi nuk kishte kryer 5 muaj burg nga dënimi për armëmbajtje pa leje, por gjykata e la të lirë disa ditë më pas.
Këtë të hënë, relatorja Anita Mici rrëzoi kërkesën e prokurorisë për ndryshim të vendimit penal ndaj Morinës. Akuza pati kërkuar që Morina të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në burg.
Në çastin e arrestimit në muajin maj avokati i tij deklaroi se Morina nuk ishte në dijeni të vendimit të gjykatës së Durrësit për vuajtjen e dënimit prej 5 muajsh e 12 ditësh, pas revokimit të vendimit të mëparshëm të gjykatës së Tiranës për lirimin e tij me kusht.
Sipas akuzës, Morina ka shkelur kushtet e detyrimet gjatë kohës së provës, parashikuar nga neni 62/4 i Kodit Penal.
Top Channel