12 shtatori shënoi ditën e parë të shkollës për vitin e ri mësimor 2022-2023, ku u regjistruan në arsimin parauniversitar rreth 450 mijë nxënës, një rënie e ndjeshme krahasuar me një vit më parë kur kishte rreth 454 mijë fëmijë.

Këto janë të dhënat paraprake, teksa Ministria e arsimit njofton se nga transferimet të dhënat përfundimtare ende nuk janë përditësuar. Nga mbyllja e ciklit të arsimit 9-vjeçar, 28 mijë nxënës kanë vijuar arsimimin në gjimnaz duke u regjistruar në klasë të dhjetë, rreth 3 mijë më pak se një vit më parë.

Ndërsa për herë të parë në bankat e shkollës janë ulur 29 mijë fëmijë, të cilët morën në duar abetaren e re të përbashkët me Kosovën.

Abetarja mbarëkombëtare Shqipëri-Kosovë ka ndryshuar renditjen e shkronjave bazuar në intensitetin e përdorimit të tyre në të folur. Mes emocioneve, ata u njohën me mësuesen e tyre të parë.

Në 30 vite numri i nxënësve është thuajse përgjysmuar në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT në vitin 1991 në shkollë shkonin rreth 690 mijë nxënës.

“Në klasë të dytë ne ishim 33 nxënës në klasë, këtë vit që hyj në klasë të gjashtë kemi mbetur 24 nxënës. Kanë ikur jashtë…”, tha një nxënës.

Ndryshe nga vitet shkollore gjatë pandemisë, nxënësit e nisën shkollën këtë herë më të lirshëm, mes përqafimeve me arsimtarët dhe jo më të vetëm në bankë, pa maska dhe ruajtjen e distancës ata mezi e kanë pritur normalizimin e mësimdhënies.

“Prioritet këtë vit është kurrikula. Pasi gjatë pandemisë primar kemi pasur shëndetin. Kjo periudha ka lënë shenjë dhe këtë vit shpresojmë çdo gjë të rikuperohet!”, tha drejtoresha e shkollës Jeronim de Rada.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA