“Gjuha Shqipe nën kërcënim”/ Rama në Kongresin e Arsimit: Duhet të jetë lëndë në të gjitha nivelet e arsimit

12/09/2022 10:24

Në ditën e parë të këtij viti të ri shkollor, por mbahet Kongresi i Arsimit në ambientet e Pallatit të Kongreseve, me temë ‘Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian.’

Në fjalën e tij, kryeministri Rama teksa tha se arsimi është arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kobit, theksoi edhe se gjuha është më e rrezikuara. Ai tha se për këtë arsye, duhen gjetur mënyra të cilat përforcojnë pozicionin e gjuhës në kaosin gjuhësor dhe komunikativ.

“Ka kaluar një shekull nga Kongresi i Manastirit, një gur themeli që u fokusua tek gjuha, më pas tek arsimi si arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, ne mblidhemi këtu në një kongres që është shumë modest për nga pesha por në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar.

Mësimi i shqipes dhe përparimi ishte për delegatët e kongresit të Manastirit, mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumë kush mund të pyesi, po nga se do të mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigja është e thjeshtë. Mjafton të harxhojë secili një orë për të lundruar në kanalet e informacionit që të shohë çfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi.

Gjuha është më e rrezikuara dhe kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë por të gjitha gjuhëve që sot janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe shpejtësia e komunikimit bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj që na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, tha Rama në fjalën e tij.

Rama shtoi se gjuha Shqipe duhet të futet në çdo nivel të arsimit dhe duhet t’i jepet më shumë prioritet. Ai tha se Gjuha Shqipe duhet të mbrohet me provim, njëlloj si anglishtja.

“Kërcënimi ndaj gjuhës është sot një kërcënim më i madh se çdo herë tjetër. Çdo ditë që kalon e rrit këtë kërcënim, forcat që kërcënojnë gjuhët janë të tilla që duket të pathyeshme. Më vjen mirë që këtu në këtë kongres mund të them se Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe nuk janë më nevoja të adresuara, por janë projekte që kanë hyrë në rrugën e realizimit të tyre. Është për të ardhur keq që për shumë vite ne nuk e patëm këtë mundësi. Sot është shtruara rruga për t’i pasur këta libra themelor për vendin tonë e botën tonë akademike. Në këtë rrugë siç e thashë përpjekja për gjuhën duhet të jetë një përpjekje e gjithë anshme. Gjuhën Shqipe duhet ta fusim në çdo nivel të arsimimit. Duhet ta diskutojmë futjen e gjuhës shqipe në çdo nivel arsimor. Është mirë që kemi sistem të provimit të anglishtes, por është mangësi që s’kemi po të njëjtin sistem për gjuhën tonë amëtare. Futja e abetares së unifikuar është një gur themeli”- tha Rama.

Top Channel