Kujdestari mbretëror i bletëve raportohet së fundmi se ka informuar insektet në kosheret e pallatit Buckingham Palace për vdekjen e mbretëreshës.
Elizabeta II ndërroi jetë në rezidencën e saj skoceze Balmoral mbrëmjen e të enjtes pas 70 vitesh në fron.
Prandaj dhe John Chapple, kujdestari zyrtar i bletëve në pallat, tha për të përditshmen vendase Mail Online se ka qenë në pallatin mbretëror dhe në rezidencën Clarence House të premten, për të kryer formalitetin, që nga ana tjetër sipas pallatit mbretëror, është një traditë që daton prej shekujsh.
Rituali bazohet në një supersticion të vjetër, sipas të cilit megjithse tingëllon qesharake, nëse bletëve nuk u jepet njoftimi për ndryshimin e pronarit, ato mund të mos prodhojnë më mjaltë.
Chapple shtonte se kishte vendosur një kordele të zezë në çdo koshere, dhe më pas i kishte informuar ato me pëshpërima të qeta, për ndërrimin e jetës së mbretëreshës.
Ai u tha gjithashtu blerëve se pronari i ri që komandon është tashmë Mbreti Charles III.
“Duhet të trokasësh ngadalë në çdo koshere e të thuash, ‘Mjeshtrja ka vdekur, por ju nuk duhet të shqetësoheni. Ka një mjeshtër të ri që do të jetë i mirë me ju’,” tha dje Chapple për procedurën.
“Personi që ka vdekur është pronari i koshereve, është dikush i rëndësishëm në familje që vdes, pasi nuk ka persona më të rëndësishëm se mbretëresha, apo jo?”
Rezidenca Clarence House ka dy koshere bletësh, ndërsa pallati mbretëror Buckingham Palace ka pesë. Secila llogaritet se mban 20,000 bletë secila por numri i tyre ndryshon gjatë vitit.
Chapple ka qenë kujdestari zyrtar i bletëve prej 15 vjetësh. Duke kujtuar emërimin e tij ai tha se kishte marrë vendin e punës pa shumë procedura.
“Mora një email nga kryekopshtari i Buckingham Palace për të ardhur e folur mbi bletët. Unë mendova se ata kishin një problem me bletët por mësova se donin të mbanin bletë dhe që unë të kujdesesha për to,” thotë Chapple.
Chapple tha se kishte qenë një “privilegj” për t’u kujdesur për bletët e mbretëreshës dhe shpreson të vijojë pas ardhjes në fron të mbretit Charles.
Top Channel