Ushtarët e Kinës e Indisë tërhiqen nga rajoni i kontestuar kufitar në Himalaje (fotot)

09/09/2022 18:07

Trupa të ushtrisë kineze dhe indiane kanë nisur sot tërheqjen nga rajoni i kontestuar kufitar në Himalaje mes dy vendeve, teksa negocjatat e paqes vijojnë mes zyrtarëve të lartë ushtarakë, pas përplasjeve të rënda në vitin 2020.

Dy ministritë e mbrojtjes konfirmuan sot se po nisin tërheqjen nga zonat respektive të Burimeve  Gogra, në një lëvizje që “do të çojë drejt paqes dhe qetësisë në zonën kufitare”.

Tërheqja po bëhet sipas konsensusit të arritur në korrik pas raundit të fundit të bisedimeve  bilaterale mes komandantëve, thanë ministritë.

Lëvizja shënon gjithashtu hapin e dytë të uljes së tensioneve që prej gushtit 2021, kur trupat deklaruan se po ndalonin “dislokimet avancuese” dhe çmontimin e infrastrukturës ushtarake në zonat pranë Gogra. Akti është përshkruar nga ministria indiane si  rivendosje e zonës “në situatën e para-konfrontimit”.

Linja aktuale e kontrollit ndan vetëm zona fizike dhe nuk është një kufi i mirëfilltë territorial pasi në krahinën e Ladakh ka territore të shpërndara kineze dhe indiane, si dhe ndërpritet në disa pjesë nga zonat kufitare të Nepalit e Butanit, me Kinën.

India thotë se zona e kontrollit është 3,488km e gjatë ndërsa Kina pretendon se është shumë më e shkurtër.

Tensionet në rajonin e kontestuar në Himalaje shpërthyen në qershor  2020, kur të paktën 24 ushtarë indianë u vranë gjatë përleshjeve të dhunshme pa armë zjarri, dhe të paktën 4 nga pala kineze.

Ushtarët kishin luftuar me gurë e shkopinj sipas marrëveshjes për të mos mbajtur armë zjarri në rajon, por më vonë dy vendet nisën të afronin trupa të tjera të mbështetur nga tanke e artileri.

Prej atëherë liderë ushtarakë nga të dyja palët janë takuar në 16 raunde negocjatash dhe ka pasur disa tërheqje në sjelljen e konfrontimit. Gjithsesi tensionet mbeten teksa dy vendet nuk kanë arritur të cilësojnë të gjitha specifikat kufitare.

FOTO GALERI
1/7
Trupa të ushtrisë kineze dhe indiane kanë vijuar sot tërheqjen nga rajoni i kontestuar kufitar në Himalaje

Top Channel