Bllokimi i grurit në portet e Detit të Zi nga Rusia, u përdor si armë lufte jo vetëm ndaj Ukrainës por edhe ndaj vendeve të Europës, të cilët tregun kryesor të drithërave e kishin këto dy shtete.
Paniku i urisë i detyroi shtetet e Europës të kërkojnë tregje të reja për të blerë drithërat. Por në Shqipëri, ishte “Open Ballkan”, ai që furnizoi fabrikat e miellit me grurin nga Serbia. Lufta bëri që në Samitin e “Open Balkan” që u zhvillua disa ditë më parë në Beograd, mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të nënshkruhet marrëveshja për sigurimin e ushqimit, që do të thotë se për asnjë arsye këto vende nuk do të bllokojnë marrëveshjen tregtare mes tyre.
“U desh një komunikim me kryeministrin tonë më atë të Serbisë, dhe më pas takimi i ministres së bujqësisë shqiptare me atë të Serbisë që të aktivizonin marrëveshjen “Open Balkan” që ne të kishim hapje të tregjeve dhe jo bllokime. Kjo marrëveshje tani vjen pikërisht me këtë eksperiencë. Pra nëse në të ardhmen një nga tre vendet pjesëmarrëse në Ballkanin e Hapur Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria vendos të bllokojë eksportet për një nga arsyet të vetat ky bllokim nuk do të aplikohet në rastin e marrëdhënieve tregtare mes tre vendeve”, tha Enio Civici, zv/ministër Bujqësie.
“Open Ballkan”, nuk ka për qëllim të zhvillojë vetëm marrëdhëniet tregtare dhe politike, por njëkohësisht në kohë të vështira këto vende do të plotësojnë njëra-tjetrën me ushqimet e shportës.
“Nuk do të aplikohen kuota. Ashtu sikurse ne aplikojmë drithëra nga Serbia ashtu si importon perime Serbia nga ne ashtu njëosj produktet e bulmetit apo qumështi, apo frutat apo mishi. Pra kjo është një marrëveshje që përfshin kryesisht një pjesë të madhe të produkteve të shportës“, u shpreh Civici.
Por, për veç ushqimit, Ballkani i Hapur garanton dhe magazinimin e produkteve ushqimore.
“Ka edhe një pikë tjetër që lidhet me koordinimin e kapaciteteve magazinuese. Pra sasia për tu magazinuar e një vendi apo një tjetri nëpërmjet këtij koordinimi lejon që të kufizohen kostot të përmblidhen kostot në një shtet apo në një kapacitet magazinues të një kompani të shërbejë si magazinë e atij importuesi, pa kryes investime të tepërta pa pasur kostot të tepërta. Dhe kjo lejon që secili shtet të aplikojë politikat e duhura publike për të garantuar ushqimin”.
Në këtë marrëveshje ajo që është e ndalur është rieksportimi i këtyre produkteve ushqimore në kohë krizë.
Top Channel