Pas vdekjes së Mbretëreshës së Anglisë Elisabeth II, politika shqiptare, të opozitës dhe maxhorancës kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për monarken më jetëgjatë të Mbretërisë së Bashkuar. 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim në “Facebook’, ku krahas fotos së monarkes, shkruan  “Mirupafshim Mbretëreshë”.

Presidenti Bajram Begaj i ka shprehur ngushëllime familjes mbretërore britanike.

“Ngushëllime të ndjera Familjes Mbretërore, popullit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Komonuellthit për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II. Ajo ishte një mbretëreshë me zemër të madhe, forcë e kuraje te jashtëzakonshme dhe do të kujtohet gjithnjë me respekt dhe admirim“, shkroi Begaj.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan se ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elisabeta II, është një lajm i trishtuar jo vetëm për popullin e Mbretërisë së Bashkuar, por për gjithë njerëzimin.

“Ndarja nga jeta e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabeta II, është një lajm i trishtuar jo vetëm për popullin e Mbretërisë së Bashkuar, por për gjithë njerëzimin. Një jetë e tërë në shërbim të kombit, të shtetit dhe qytetarëve! Mbretëresha Elisabeta II, përbashkuesja e kombit, e pranuar gjerësisht si simbol i stabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe botës, e  ndihmoi vendin e saj në ndryshimet e mëdha përgjatë shtatë dekadave, për forcimin e identitetit kombëtar,  rritjen e ndikimit gjeopolitik dhe të pozitës ndërkombëtare. Pushofshi në paqe, Madhëria Juaj!”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka i shprëh ngushëllim familjes mbretërore.

“Me dhimbje të madhe dëgjuam lajmin për ndarjen nga jeta e Mbretëresha Elizabeth. Gjatë mbretërimit të saj 70 vjeçar ajo dha udhëzime, motivim, vizion dhe stabilitet për Britaninë, një figurë respekti dhe admirimi për pjesën tjetër të botës . Ne ofrojmë Familja mbretërore dhe njerëzve të saj  ngushëllimeve tona të përzemërta”, shkroi Xhaçka

“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj, Elizabeth II, e admiruar në mbarë botën për lidershipin frymëzues, përkushtimin dhe angazhimin e saj të pathyeshëm! Duke vlerësuar lart kontributin e Saj të jashtëzakonshëm për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, jam i bindur se figura dhe Udhëheqja e Saj e dalluar publike dhe ndërkombëtare do të kujtohet përherë me respektin më të thellë. Ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Mbretërore, Qeverinë dhe popullin britanik, si dhe të gjithë Komonuelthin për këtë humbje të madhe”, ishte mesazhi i ish-presidentit Ilir Meta.

“Ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elisabetë II. Një grua e admirueshme, një jetë në shërbim të qytetarëve,personifikimi unik i demokracisë britanike. Mbretëresha më jetëgjatë në historinë e Britanisë së Madhe do të mbahet mend gjatë si gruaja që mishëroi qetësinë dhe stabilitetin në një botë të trazuar dhe me shumë sfida. Pushoftë në paqe!”– ishte ky mesazhi i Enkelejd Alibeajt.

“Dielli nuk lind më për Mbretëreshën Elizabeth e II. Të dashur miq, Elizabeth e II, Monarkja që mbretëroi më gjatë se kushdo në historinë mbretërore të Britanisë së Madhe, plot 70 vjet, ku udhëhoqi me ndere, përkushtim e dinjitet e solli mbi të gjitha stabilitet e prosperitet për vendin e kombin e saj, mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme vlerash mbretërore e njerëzore, një devotshmëri e integritet të pashoq që do të mbahet mend në kohëra.

Mbretëresha Elizabeth e II ishte personaliteti më i shquar dhe më i dashur e cila me virtytet, mençurinë dhe devocion 70-vjeçar në shërbim të kombit, mbretërisë të saj dhe paqes në botë u shndërrua në një nga personalitetet më të respektuara dhe më fisnike e të dashura të kohës.

Unë kam patur rastin të pritem në Pallatin e Buckingham në audiencë të veçantë nga Madhëria e saj si president i Shqipërisë. Mbeten të paharruara për mua vlerësimi i saj për përmbysjen e diktaturës staliniste në Shqipëri dhe përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë. Në vitet e mëvonshme përsëri jam takuar në pritje ceremoniale të shtruara nga Madhëria e saj.

Duke shprehur vlerësimin tim më të lartë dhe nderimin tim më të thellë për këtë Zonjë të madhe të nderuar në mbarë botën shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Madhërisë së tij Mbretit Charles, familjes mbretërore dhe subjekteve të Madhërisë saj dhe lutem që shpirti i saj i madh të gjejë paqen e amshuar. Amin“, shkruan Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA