Një fermer i krahinës franceze të Haute-Loire ka paditur dhe fituar në gjykatë për fikjen e një antene 4G pasi humbi rreth dyzet lopë në stallat e tij dhe vërejti një rënie të prodhimit të qumështit me rreth 15-20%.
Gjykata administrative e Clermont-Ferrand rrjedhimisht vendosi pezullimin e antenës 4G për dy muaj pas dyshimeve se po dëmtonte shëndetin e tufave të tij.
“Urdhërohet pezullimi i përkohshëm i kësaj antene të ripërsëritjes së sinjalit për të monitoruar nga ana ligjore efektet e dëmshme te kafshët, veçanërisht te lopët e qumështit”, precizonte urdhri i gjykatës.
“Është një fitore dhe një lehtësim”, tha për rrjetin AFP fermeri Frédéric Sagères, duke shpresuar se tufa e tij e kafshëve të rekuperonte së shpejti dëmtimet e rrezatimit.
Që prej instalimit të antenës 4G, në korrik 2021, 200 larg fermës së tij në Mazeyrat-d’Allier (Haute-Loire), Frédéric Sagères thotë se ka humbur rreth 40 kokë lopë nga tufa e tij prej 200.
Kryebashkiaku i Mazeyrat-d’Allier, Philippe Molhérat, i cili kishte autorizuar instalimin e antenës, dëshmoi për gjendjen alarmante të tufave blegtorale, duke folur për frikën e efekteve të ngjashme të njerëzit dhe shqetësimin e rreth 1.500 banorëve të fshatit.
Mbrojtësit e tre operatorëve celularë, Orange, Free e Bouygues Telecom, flisnin për mungesën e elementeve kimike për të vërtetuar një lidhje mes shëndetit të kafshëve dhe fushës elektromagnetike.
Top Channel