Qeveria do të konfiskojë ndërtesat ose katet pa leje të ndërtuara me qëllim përfitmi.
Është ky vendimi më i fundit i qeverisë Rama, i cili u njoftua sot nga zv/kryeministrja Belinda Balluku në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Balluku tha se katet e ndërtuara pa leje, pas konfiskimit do të kthehen në të mirë të shërbimit publik.
“Një akt i rëndësishëm për rregullat dhe për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimin. Akti ka të bëjë me të gjitha ato ndërtesa pa leje në Republikën e Shqipërisë ose sic ka një trend kohët e fundit, për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga Bashkitë apo KKT.
Kjo kohë ka mbaruar, ky trend ka një sjellje se pavarësisht se leja është 7 kate i bëjmë edhe tre sipër për t’I legalizuar më pas. Kjo nuk do të ndodhë më. Të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik.
Do t’i jepen atyre qytetarëve të cilët preken nga projektet publike ose do të përdoren si fonde për të shpronësuar të gjithë qytetarët të cilët sërish preken nga projektet publike.
Duhet patur parasysh që ky proces ka për qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese që shkelin ligjin edhe duke qenë nën mbikëqyrjen e institucioneve tona.
Për cdo ndërtesë që rezulton se ka shkelur lejen, apo të ndërtuar pa leje, do ketë edhe një investigim për të gjitha ato institucione që kanë si detyrë kontrollin e territorit dhe kjo gjë ka ndodhur nën hundën e tyre, sepse identifikojmë që ka edhe një vetëtolerancë nga institucionet për t’i lënë ata në abuzim.
Ky është një proces shumë i gjatë, nuk do ketë tolerancë për asnjë nga ndërtuesit që kanë shkelur lejet. Gjithcka e ndërtuar pa leje do të kalojë në përfitim të popullit, do të përdoren për të akomoduar familje në nevojë. Do të përdoren për nevoja të shtetit, për zyra.
Kjo VKM i jep tre mundësi ndërtuesit që ka krijuar këtë lloj shkelje: 1-Parapagesa e metrave katrorë që ka ndërtuar jashtë lejes, përvec gjobës që do të paguajë. 2-Ndërtuesi i dhuron metrat katrorë. 3-Dhe rasti i tretë konfiskimi, ku ndërtuesi do përballet me cështje penale-“, u shpreh Balluku.
Top Channel