Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale” po vijon sot dëgjesat me përfaqësues të disa bashkive në vend.

Gjatë fjalës së tij në mbledhje e këtij komisioni nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku hodhi idenë e bashkimit të bashkive Vorë dhe Kamëz në territorin e Tiranës, bashkim i cili sipas tij do të jepte cilësi më të mirë në shërbimet ndaj qytetarëve

“Njësitë administrative duke qenë të vogla, kanë patur probleme shumë të mëdha me mënyrën si janë mbajtur financat, dokumentet, etj. Për 4-5 vjet pas bashkimit ende gjenim detyrime ndaj palëve të treta që nuk ishin mbajtur në mënyrë korrekte.

Unë besoj padyshim që për të përmirësuar ofrimin e cilësisë më të mirë të shërbimeve për qytetarët në territorin i cili preket dhe jeton në mënyrë organike nga njëri tjetri, njësi administrative të Vorës dhe Kamzës, do të bënin shumë herë më shumë sens të ishin të bashkuara me Tirana.

Pasi mundësia për të ofruar shërbime cilësore, por edhe ana ekonomike, janë dy njësi të lidhura me Tiranën, bashkimi i tyre në territorin e Tiranës, do jepte një ofrim më të mirë të shërbimeve dhe këto qytetarë të mos kishin një ndjesi si qytetarë të qyteteve të nivelit të dytë”, u shpreh Mazniku.

Top Channel