Përmbytjet katastrofike në Pakistan, kryeministri: Disa pjesë të vendit po duken si det

07/09/2022 11:42

Pjesë të Pakistanit po duken si “det” tha kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, gjatë vizitës që i bëri më 7 shtator disa prej pjesëve të goditura nga vërshimet.

Vërshimet në Pakistan kanë mbuluar me ujë pothuajse një të tretën e këtij shteti, teksa numri i viktimave ka arritur në 1.343.

Nga vërshimet janë prekur 33 milionë njerëz nga popullsia prej 220 milionë banorësh. Për këtë fatkeqësi faji i është hedhur ndryshimeve klimatike, teksa qindra mijëra persona kanë mbetur pa shtëpi dhe autoritetet pakistaneze kanë vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga vërshimet arrijnë në vlerën e të paktën 10 miliardë dollarësh.

“Nuk mund ta besoni shkallën e shkatërrimit që është këtu”, tha Sharif për mediat pasi vizitoi provincën jugore Sind. “Ka ujë gjithandej, deri ku të shohin sytë. Thjesht është si det”.

Qeveria pakistaneze u ka dhënë para të gatshme familjarëve të viktimave të vërshimeve në vlerë të përgjithshme prej 313.90 milionë dollarësh. Ekzekutivi po ashtu është zotuar se do të blejë tenda për familjet e zhvendosura, tha Sharif, sipas Radio Evropa e Lirë.

Por, tërheqja e ujit mund të paraqesë sfida të reja, pasi mund të shfaqen sëmundje infektuese, tha Sharif dhe shtoi se do të duhen më shumë fonde për t’u përballur me situatën.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për 160 milionë dollarë ndihmë për familjet e viktimave të vërshimeve në Pakistan.

Zyrtarët e agjencive kombëtare për fatkeqësi natyrore thanë se tetë fëmijë janë në mesin e viktimave të regjistruara në 24 orët e fundit.

Pakistani pritet të goditet me më shumë reshje shiu në muajt e ardhshëm dhe situata me vërshimet mund të përkeqësohet edhe më shumë, kanë paralajmëruar zyrtarët e Agjencisë për refugjatë të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se mbi 6.4 milionë banorë në Pakistan, të prekur nga vërshimet, kanë nevojë për mbështetje humanitare.

Vërshimet në Pakistan kanë shkatërruar 1.6 milion shtëpi, mijëra kilometra rrugë dhe mbi 2 milionë hektarë tokë bujqësore.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA