Vdekja e peshkut në lumin Oder e rikthen temën e krimit mjedisor. Qeveria gjermane dëshiron të forcojë luftën kundër kësaj fatkeqësie. Por ndjekjet penale janë nën juridiksionin e landeve, të cilat nuk kanë personel.

Arsyeja pse ngordhin peshqit në Oder ende nuk është sqaruar përfundimisht. Hetimet po vazhdojnë në Poloni dhe Gjermani. Një specie helmuese e algave, e cila në fakt gjendet në ujin e kripur, mund të jetë përgjegjëse – në kombinim me nivelet e ulëta të ujit dhe temperaturat e larta. Ka mundësi që në lumë të jenë hedhur shumë ujëra të kripura. Autoritetet polake njoftuan së fundmi se kanë zbuluar më shumë se 280 shkarkime të paligjshme.

Ministrja Federale e Mjedisit, Steffi Lemke vizitoi Brandenburgun në mes të gushtit për të krijuar një ide për situatën atje. “Prioriteti tani është të kufizohet dëmi, të mbrohet popullata dhe të identifikohet shkaku dhe fajtori i mundshëm,” tha politikania e Të Gjelbërve gjatë në Oder. “Ky krim kundër mjedisit duhet të zbardhet”. Lufta kundër krimit mjedisor në Gjermani mund të bëhet më e rëndësishme në të ardhmen. Politikanët, por edhe ekspertët, bëjnë thirrje për më shumë fokus në këtë fushë dhe për të nxitur krijimin e strukturave të reja.

Është planifikuar një direktivë e re evropiane

Sipas një zëdhënëseje të Ministrisë Federale të Mjedisit, duhet të forcohen burimet njerëzore dhe strukturat organizative të policisë, doganave, prokurorëve dhe autoriteteve mbikëqyrëse të administratës mjedisore. Krimet mjedisore nuk duhet të shihen si “të vogla”. Ajo gjithashtu i referohet një direktive të re evropiane të planifikuar mbi ligjin penal mjedisor, aktualisht në negociata e sipër në Bruksel. Kjo përmban, ndër të tjera, kufijtë minimalë për dënimet maksimale si dhe përdorimin e metodave shtesë hetimore.

Sipas Statistikave të Krimeve të Policisë (SPC), vitin e kaluar janë regjistruar rreth 11600 vepra penale në fushën e krimit mjedisor në shkallë Gjermanie. Këto përfshijnë, për shembull, ndotjen e ujit, tokës dhe ajrit. Sipas një studimi të Zyrës Federale për Mjedisin të vitit 2019, shkalla e zbardhjes së krimeve mjedisore në vitet e fundit ka arritur në rreth 60 për qind, që është pothuajse në të njëjtin nivel si në fushat e tjera të krimit.

Deutschland | Umweltministerin Steffi Lemke bei der Umweltkatastrophe an der Oder

Megjithatë, ekspertët besojnë se zona gri është e rëndësishme. Autoriteteve të ndjekjes penale shpesh u mungon ekspertiza, personeli dhe kapaciteti kohor për të qenë në gjendje të kryejnë kontrolle dhe të kryejnë hetime shpesh komplekse. Këta faktorë kontribuojnë në faktin që “veprat të mos zbulohen ose të mos provohen në procedurë penale”, thuhet në studimin e Zyrës Federale për Mjedisin.

Duke pasur parasysh mangësitë në ndjekjen penale të krimeve mjedisore, deputetja e Të Gjelbërve në Bundestag dhe ekspertja e çështjeve të brendshme, Irene Mihalic, bën thirrje për krijimin e shërbimeve të specializuara në nivel federal dhe të landeve, si zyrat e prokurorisë së specializuar dhe shërbimet e specializuara brenda policisë me posaçërisht personel të trajnuar, me qëllim përmirësimin e ndjekjes penale.

Edhe opozita është pro një qasjeje të përforcuar në luftën kundër krimeve mjedisore, por vë në dukje edhe problemin e personelit. “Trajtimi i krimeve mjedisore është punë shumë intensive për personelin, sepse kërkon kontrolle të pavarura nga dyshimi”, tha Günter Krings, zëdhënës i grupit CDU/CSU në Bundestag për politikat ligjore. Prandaj, autoritetet e zbatimit të ligjit dhe laboratorët duhet të kenë personel të përshtatshëm.

Shpërbërja e Stafit të Krimeve Mjedisore në Rinin Verior-Vestfalinë

Ministri francez i Brendshëm, Gérald Darmanin, kohët e fundit njoftoi se donte të krijonte 3000 poste të reja policie brenda xhandarmërisë për të sqaruar veçanërisht krimet mjedisore si zjarrvënia në pyje. Megjithatë, ndryshe nga Franca, ndjekja penale e veprave mjedisore në Gjermani u takon autoriteteve të Landeve.

Në disa Lande, në të kaluarën ekzistonin struktura të specializuara. Në landin e Rinit Verior-Vestfalisë për shembull, ekzistonte një departament përgjegjës për krimin mjedisor dhe i përbërë nga hetues kompetentë, i cili, megjithatë, u shpërbë nga qeveria e fundit e landit. Qeveria e re e Rinit Verior-Vestfalisë

e përbërë nga CDU dhe të Gjelbrit, tani dëshiron të trajtojë krimin mjedisor në mënyrë gjithëpërfshirëse. Për ta bërë këtë, marrëveshja e koalicionit parashikon krijimin e një prokurorie të specializuar dhe të një njësie koordinuese brenda Zyrës së Kriminalistikës së landit, si dhe punësimin e 200 personave shtesë në vit në administratën mjedisore.

Shumë prokurorë dhe gjykata në kufirin e kapaciteteve të tyre

Ekziston një nevojë urgjente edhe për të shtuar stafin e gjyqësorit në mënyrë që të mund të ndiqen penalisht në mënyrë të vazhdueshme shkeljet e ligjit. Sot, shumë prokurori dhe gjykata punojnë në kufirin e kapacitetit të tyre dhe procedurat shpesh janë të gjata.

Ky problem ka të ngjarë të përkeqësohet. Sipas Federatës Gjermane të Nëpunësve Civilë (dbb), në vitet e ardhshme do të ketë një mungesë prej rreth 360.000 punonjësish në shërbimin publik. Sipas kryetarit të dbb, Ulrich Silberbach, numri i detyrave për autoritetet dhe administratën në nivel federal, shtetëror dhe komunal po rritet më shpejt se numri i punonjësve. Prandaj, shërbimi publik rrezikon të mbingarkohet vazhdimisht./ Deutsche Welle

Top Channel