“Ju tregoj ku është Ervis Martinaj”/ Sali Berisha: Sa iku ai, lojërat e fatit u bënë të ligjshme

07/09/2022 19:02

Sali Berisha, në një bashkëbisedim me gazetarët ka komentuar vendimin e qeverisë për të rikthyer lojërat e fatit në vend.

Sipas ish-kryeministrit, vendimi lidhet me zhdukjen e të shumëkërkuarit, Ervis Martinajn.

“Jua tregoj unë ku është Vis Martini. Martini është te lojërat e fatit. Ishte biznesmen i lojërave të fatit. Sa ishte ai, lojërat e fatit ishin ilegale! Iku ai, se çfarë ndodhi me të askush nuk e di, lojërat u bënë të ligjshme.

Gjithçka lëviz në një trajektore që vjen nga kupola dhe zbret poshtë. Situatë dëshpëruese, por unë jam optimist”, tha Berisha.

Për Ervis Martinajn, zhdukjen e të cilët e ka raportuar vetë familja e tij në polici, reagoi sot për herë të parë dhe kryeministri Edi Rama.

Policia e Shtetit nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e tij, e as përgjigje nëse është vrarë apo jo.

Rama pyeti Policinë e Shtetit se pse nuk kanë përgjigje për fatin e personit më të kërkuar në Shqipëri.

“Si është e mundur që Policia e Shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet të marrë fund sa më parë. Nëse i  kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që është vrarë, ose të gjendet dhe t’i jepet drejtësisë”.

Top Channel