Peshkarexha në pronësi të dy vëllezërve shqiptarë nga Kavaja është ndaluar gjatë natës së kaluar me 25 mijë litra karburant kontrabandë.
Policia ka publikuar pamjet brenda anijes ku u gjet nafta e sekuestruar, ndërsa pronarët Roland dhe Shpëtim Cani (vëllezër) janë arrestuar.
Paraprakisht deklarohet se anija “Leone”, që i përket dy vëllezërve nga Kavaja është konstatuar në ujërat ndërkombëtare nga Guardia di Finanza, e cila ka njoftuar autoritetet shqiptare.
Gjatë natës së kaluar policia kufitare është vënë në lëvizje duke e sjellë në port peshkarexhën, ndërsa po vijon vlerësimi i sasisë së karburantit që dyshohej se do të hidhej në treg kontrabandë, pas blerjes në Liban.
Anija kishte dalë për gjueti në datën 5 shtator në drejtim të jugut dhe kur ka dalë në ujërat ndërkombëtare ku dyshohet se ka marrë dhe sasinë e naftës nga një anije libaneze, veprim ky i pikasur nga Guardia di Finanza.
Gjithashtu janë arrstuar edhe dy persona të tjerë, të cilëve iu konstatuan 120 shishe dhe 30 litra verë, si dhe 205 kuti me parfume të markave të ndryshme, pa dokumentat e nevojshme.
Shtetasit me iniciale A. R. 49 vjeç, banues në Fier dhe N. D. 58 vjeç, banues në Lushnjë u arrestuan në vijim të operacionit policor të koduar “Diesel 2”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi policisë:
Durrës / Kontrolle intensive në tokë dhe det, nga shërbimet e PKK Port Durrës dhe DVP Durrës, në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, si dhe me ekipin monitorues të Guardia di Finanza, me qëllim evidentimin dhe goditjen e kontrabandës me mallra të ndryshëm.
Finalizohet plani operacional policor i koduar “Diesel 2”.
Evidentohen dhe goditen brenda pak orëve, 2 raste të veprimtarisë kriminale të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm, vihen në pranga 4 autorët e dyshuar të këtyre rasteve, 2 prej tyre vëllezër.
Gjenden dhe sekuestrohen rreth 25 000 litra naftë, si dhe mallra të tjerë, të dyshuar të kontrabanduar.
Si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërive, shërbimet e PKK Port Durrës në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, ekipin monitorues të Guardia di Finanza dhe me specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimit dhe Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar planin intensiv operacional të koduar “Diesel 2”, në kuadër të të cilit janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm dhe janë vënë në pranga shtetasit Sh. C., 43 vjeç dhe R. C., 41 vjeç, banues në Kavajë (vëllezër).
Shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.
—
Në vijim të planit operacional të koduar “Diesel 2”, janë arrestuar edhe shtetasit A. R., 49 vjeç, banues në Fier dhe N. D., 58 vjeç, banues në Lushnjë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në autobuzin që drejtonte shtetasi A. R. dhe ku ishte pasagjer shtetasi N. D., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 120 shishe dhe 30 litra verë, si dhe 205 kuti me parfume të markave të ndryshëm, mallra të cilët u gjetën pa faturë blerjeje dhe të padeklaruara në doganë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel