Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me deklaratën e fortë të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano për një media franceze, ku tha se 14 kriminelë i shpëtuan policisë pasi operacioni u dekonspirua.

Ai u shpreh se do të thellohen hetimet në lidhje me këtë ngjarje, duke iu drejtuar me ironi Nanos se kur nuk e di çfarë ndodh drejtori i Policisë së Shtetit, nuk ka se si ta dijë ministri.

Çuçi theksoi se në hetimet për këtë ngjarje do të jetë edhe ish-drejtori Nano.

“Është shqetësues por edhe pjesë e punës së përditshme që ka Policia e Shtetit e sidomos agjencia për të pastruar radhët e policisë, në lidhje me deklaratën sigurisht kur se di drejtori kur ishte në detyrë vështirë që mund ta dijë ministri këtë gjë. Ajo është në hapësirën e informacionit që ka drejtori, ne pa diskutim që do ta hetojmë dhe do ta thellojmë hetimin padyshim që do të përfshihet edhe ish-drejtori që ka bërë në deklaratë të tillë për të shkruar drejt zbardhjes së vërtetës për të goditur këdo që godet radhët e policisë”, tha Çuçi.

Gledis Nano, në një interviste për median franceze “Metropole”, foli për një nga operacionet më të bujshme të viteve të fundit, “Plumbi i Artë”. Ai tha se ky operacion është dekonsipiruar  nga 32 persona që ishin për t’u arrestuar, ndërsa iu vunë prangat vetëm 18 prej tyre, e ndërsa “kokat e krimit” u arratisën.

Kujtojmë që Gledis Nano u shkarkua me vendim qeverie më 31 gusht me argumentin se nuk i ka realizuar objektivat, ndërsa në vend të tij u emërua sot Muhamet Rrumbullaku.

Top Channel