“Boll me teorinë ndërto-korrupto-legalizo”! Rama paralajmëron ndërtuesit, ja porositë për drejtorin e ri të Policisë

07/09/2022 17:15

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërtuesit se nuk do të lejohen më të shtojnë kate pa leje.

Qeveri mori këtë të mërkurë vendimin që të konfiskojë ndërtimet e kateve shtesë.

Në një konferencë për mediet këtë pasdite, numri një i qeverisë, tha se ndërtimet që janë bërë me qëllime fitimi do të konfiskohen dhe do të përdoren për strehim social apo si zyra për institucionet shtetërore, ndërsa lekët që do të fitohen nga shitja e këtyre ndërtimeve pa leje, do të shkojnë për shpronësimet.

“Është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje, sa në det, sa në rërë, sa në mes të Tiranës. Kërkon një ndërhyrje të menjëhershme dhe të pamëshirshme të këtyre aksionerëve që kanë milion për kate, llaç e tulla. E kanë bërë vijën e ligjit si një litar që e këpërcejnë me lloj lloj marifetesh. Policia e Shtetit duhet të angazhohet fuqishëm dhe të bashkohet me aksionin e IKMT-së, bazuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave për shembjen ose konfiskimin e të gjitha ndërtesave që janë bërë në shkelje të ligjit. Të gjitha m2 që do të konfiskohen do të shkojnë për strehim social apo zyra për institucionet që janë akoma më qira. Ligji thotë se ndërtimet pa leje me qëllim fitimi, shemben ose konfiskohen për interes publik, plus paguhet gjobë, plus mund të ketë dhe ndëshkim.

Çdo lekë që do të mblidhet nga parablerja e mundshme do të shkojë për shpronësimet, p.sh. tek Unaza e Re. Boll më ndërto me teorinë: korrupto policin, korrupto inspektorët dhe në fund futi një legalizim në mënyrë të paligjshme. Nuk do të ketë më KURRË legalizime të ndërtesave të paligjshme me qëllim fitimin”.

Nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rama kërkoi nisjen e hetimeve për punonjësit e policisë që mbulojnë zonat ku janë ndërtuar këto objekte pa leje.

“Shefi i komisariatit në zonën ku është ndërtuar një pallat pa leje, s’ka se si të jetë shef komisariati”, theksoi ai.

Në konferencën për shtyp, Rama ishte bashkë me drejtorin e sapo emëruar të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ku publikisht i dha udhëzimet e para.

“Askujt mos ia hap celularin”, ishte këshilla që kryeministri i dha Rrumbullakut.

Kërkesave nëpër telefona ju nuk keni detyrë t’u përgjigjeni, nga kushdo qoftë! Ditën kur do t’ju marr në telefon, keni të drejtën të dilni këtu të flisni…. por kjo nuk ka për të ndodhur”.

Patrulla policie në akse rrugore tashmë do të shohim më pak se çdo herë. Kjo me kërkesë të Ramës, që i sheh si të panevojshme sepse monitorimi i qarkullimit rrugor do të bëhet me pajisjet inteligjente.

“Policia rrugore duhet të ikë nga prita nëpër rrugë. Janë kontrollet me monitorime me aparatë dhe dronë. Do mbyllet kontrolli i shpejtësisë me sy nëpër kthesa dhe kënde rrugësh”.

Më tej, Rama kërkoi një strukturim të plotë të Policisë Kriminale, ndërsa kritikoi ashpër Strukturën e Krimit Ekonomik.

“Struktura e Krimit Ekonomik, struktura më absurde, më jo eficente, por ajo që ka ndodhur është që ka kaluar nga parazitizmi në aktivitet banditest. Të merret me krimet në shkallë të larta, të merret me milionerët, aty ku biznesi ndërvepron me politik, dhe jo të dalë për gjah biznes më biznes”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA