Ndërsa afrohen zgjedhjet e nëntorit për në Shtetet e Bashkuara, votuesit po bombardohen me reklama politike në platformat televizive, ato kabllore dhe në internet.

Fondet për reklama pritet të arrijnë një rekord historik krahasuar me të gjitha zgjedhjet e mbajtura ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Një votuese në një zonë kyçe elektorale në shtetin Arizona thotë se këto fonde mund të ishin përdorur për të ndihmuar kategori në nevojë të shoqërisë dhe jo për sulme politike të kandidatëve ndaj njëri-tjetrit.

Maria Jones i pëlqente të ndiqte emisionet televizive deri kur reklamat për zgjedhjet e nëntorit i “hynë” në dhomën e ndenjes.

Prej muajsh, zonja Jones po bombardohet me reklama elektorale.

“Duke qenë pensioniste, shikoj shumë televizion, ndoshta 6 deri në 8 orë në ditë. Shoh shumë reklama politike rishtazi, ndoshta rreth 25% në ditë. Zakonisht janë në kanalet lokale dhe jepen përpara lajmeve, gjatë lajmeve dhe programeve të ditës”, thotë zonja Jones.

Ajo është veterane e Forcave Ajrore dhe votuese demokrate në moshën 53-vjeçare në bashkinë më të populluar të Arizonas, në Maricopa të qytetit Phoenix, ku shpesh përcaktohet fati i zgjedhjeve për poste në nivel shteti dhe në nivel kombëtar.

Arizona do të votojë për guvernatorin dhe përfaqësuesit në Senat në zgjedhjet e nëntorit që do të vendosin jo vetëm se cila forcë politike kontrollon Kongresin, por do të përcaktohet edhe e ardhmja e demokracisë amerikane.

Ajo thotë se reklamat janë të tepruara.

“Jam e abonuar në shumë platforma dhe kam vënë re shumë reklama politike edhe në to. U befasova kur i pashë, por besoj se i përqëndrojnë në varësi të zonës ku ndodhesh. Për shembull, kam parë reklama në platformat Hulu dhe Tubi”, thotë ajo.

Shpenzimet për reklama elektorale pritet të arrijnë në 10 miliardë dollarë deri në ditën e votimit, më 8 nëntor – një rekord i ri ky për historikun e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Kjo është sa dyfishi i fondeve të harxhuara për zgjedhjet e vitit 2018, dhe madje ia kalon edhe rekordit prej 9 miliardë dollarësh të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, sipas të dhënave të kompanisë studimore AdImpact.

“Paratë që po shpenzojnë për këto reklama mund të ishin përdorur për sistemin tonë, për të ndihmuar njerëzit, për problemin e të pastrehëve. Mund të orientoheshin diku tjetër për të ndihmuar njerëzit dhe kur bën diçka të tillë mund ta përfshish edhe në reklamën tënde. Është një plus dhe sigurisht jo diçka negative”, thotë zonja Jones.

Ajo thotë se shumë prej reklamave janë sulme nga republikanë kundër kandidatëve demokratë për çështjen e inflacionit dhe rezultatet e punës së Presidentit Biden, apo nga demokratë që sulmojnë republikanët për masat për ndalimin e abortit pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Zonja Jones thotë se reklamat që sulmojnë kandidatët nuk e ndikojnë, pasi ajo e di se për çdo gjë ka shumë më tepër se ç’thuhet. Megjithatë, ajo thotë se disa prej reklamave politike i kanë “çelur” sytë për të hulumtuar pak më shumë historikun e kandidatëve në zgjedhje./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA