Në pamje të shpërndara nga ministria e brendshme e Sirisë shihej sot një dërgesë e sekuestruar e drogës ‘kaptagon’, që ishte bluar dhe modifikuar për t’u dukur si vazo lulesh.
Amfetamina dhe alternativa e saj sintetike kaptagon, prodhohet në formë tabletash, por trafikantët e kishin kthyer në një pastë dhe më tej në enë poçarie të veshura me ngjitëse.
Një burrë ishte arrestuar në kryeqytetin Damask për tentativën e trafikimit të 24 kg kaptagon, thanë autoritetet, pa specifikuar se cili ishte destinacioni apo origjina e ngarkesës.
Trafikantët vitet e fundit po përdorin teknika gjithnjë e më imagjinative për fshehjen e drogave të tyre, mes të cilave brendësinë e frutave apo artikujve të tjerë.
Ata kanë prodhuar objekte ornamentale me zgavra të posaçme për tabletat, nga ku ato mund të merren duke thyer objektet.
Shumica e prodhimit global të kaptagonit vjen nga Siria, ku është krijuar një industri e fuqishme e eksportit të drogës.
Arabia Saudite është tregu më i madh i kaptagonit, ku droga përdoret në festat e elitës por rekomandohet dhe si kurë dobësimi mes të rinjve.
Rrjeti AFP llogariste se rreth 250 milion tableta kaptagon janë sekuestruar në tetë muajt e parë të 2022 në të gjithë botën.
Top Channel