“Anuloni bordin e naftës”/ Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese nga grupimi Alibeaj

06/09/2022 15:19

Demokratët kaluan nga fjalët ne vepra dhe kërkuan në Kushtetuese anulimin e bordit për vendosjen e çmimit të karburanteve.

Në padinë e depozituar në gjykatë, deputet që mbështesin linjën e Alibeajt, renditën argumentet se përse bordi i ngritur nga qeveria duhet te shfuqizohet.

“Me miratimin e këtyre dy ligjeve Qeveria në vend që të bënte atë që ka bërë çdo Qeveri në botë, të mbronte interesin e qytetarëve, të drejtat e konsumatorëve, në fakt zyrtarizoi Klubin e Oligarëve dhe i dha liri të plotë që me marrëveshje me njëri tjetrin të caktojnë çmimin e naftës, gazit dhe benzinës. Cdo qytetarë ka parë sesi tallet vazhdimisht Klubi i Oligarkëve, që sa herë qytetarët reagojnë e ul çmimin me 2 lekë, dhe të nesërmen e rrit me 12 lekë”, tha Dhurata Çupi.

Qeveria përmes akteve normative në mesin e muajit mars  ngriti bordet e transparencës si për karburantet ashtu edhe për produktet ushqimore   për  zbutur krizën e çmimeve  si pasojë e luftës në Ukrainë, por  demokratët pretendojnë të kundërtën.

“Ndjesë qytetarëve që nuk e kemi bërë padinë më shpejt. Qeveria zhvat qytetarët. Në muajin gusht nuk pati asnjëherë ulje të çmimeve. Këta luajnë dhe tallen me qytetarët shqiptarë. Kosova më shumë para se Shqipëria për qytetarët”, u shpreh Dashnor Sula.

Kjo është padia e parë  për këtë sesion të ri politik në Gjykatën Kushtetuese e demokratëve  që u mbështet nga 29 firma  deputetesh që mbështesin linjën Alibeaj.  Edhe pse grupimi i Berishës ka denoncuar publikisht bordet e Transparencës, asnjë deputetet nuk hodhi firmën mbi padi.

Top Channel