Një 56-vjeçar që qëlloi me armë zjarri drejt fqinjit të tij, fatmirësisht pa e lënduar, është arrestuar këtë të hënë në Durrës.
Sipas policisë, shtetasi me iniciale L.P. dyshohet se ka tentuar të vrasë komshiun në lagjen numër 5 të qytetit bregdetar.
Fqinji ka arritur të largohet nga vendngjarja, duke i shpëtuar plumbave.
“L.P gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të fqinjit të tij, shtetasit K. J., 40 vjeç, i cili gjatë të shtënave, ka arritur të largohet me automjet dhe si pasojë është dëmtuar vetëm automjeti i tij nga të shtënat”, njofton policia.
Nuk dihet si ka nisur konflikti mes fqinjëve, nëse ka qenë sherr për motive të dobëta apo konflikti që ka nisur prej kohësh. I dyshuari është vënë në pranga ndërkohë që arma e zjarrit tip kallashnikov dhe 2 krëhëra me fishekë luftarakë janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Top Channel