Emrat/ Alibeaj takim me deputetët para nisjes së sesionit të ri parlamentar, mes mbështetësve Gjekmarkaj dhe Bushati

05/09/2022 11:10

Enkelejd Alibeaj po zhvillon takim me deputetët e PD-së në ambientet kryesisë së Kuvendit, para nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Grupimi i Alibeajt pritet të përcaktojë aksionin opozitar parlamentar, ndërsa pasdite deputetët pritet të mblidhen në seancë plenare.

Kujtojmë se ky sesion i ri parlamentar  i gjen demokratët të ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Albeajn dhe të tjerë që mbështesin Berishën.

Deputetët që kanë shprehur mbështetje për Alibeajn para disa ditësh e konfirmuan si kryetar grupi, kurse mbështetësit e Sali Berishës kanë zgjedhur si kryetar grupi Luçiano Boçin, ndërsa për këtë vendim pritet që të njoftojë shkresërisht edhe Kuvendin.

Deri më tani në mbledhje kanë mbërritur: Zheni Gjergji, Dhurata Cupi, Arbi Agalliu, Saimir Korreshi, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Selaudin Jakupllari, Flutura Açka, Enkelejd Alibeaj, Andia Ulliri, Flamur Hoxha, Kreshnik Çollaku, Eralda Tase Bano, Bledion Nallbati, Agron Gjekmarkaj dhe  Helidon Bushati.

Agjenda e nisjes së Kuvendit parashikon njoftime për çështjet e depozituara dhe programin një mujor të punës.

Burime nga e djathta konfirmojnë se janë përfshirë në kalendar tre nismat e tyre ligjore. PD kërkon që burgu i SPAÇ dhe Tepelenës të kthehen në muze kombëtar. Së dyti, kërkohet deklasifikimi i dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe së treti nisma për dekomunistizimin.

Edhe burime nga Partia Socialiste konfirmojnë se janë futur në kalendarin e punës nismat e tyre ligjore për dhënien fund të karrierës politike të politikanëve që figurojnë të kenë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit.

Top Channel