Bie papritur avioni i biznesmenit gjerman në Balltik, katër të vdekur nga rrëzimi i mistershëm (fotot)

05/09/2022 15:24

Katër njerëz janë vrarë në një aksident të pashpjeguar ajror pas rrëzimit të avionit të vogël biznesi, që fluturoi disa orë jashtë kontrolli mbi Evropë, para se të përplasej në det.

Avionë gjuajtës të NATO-s ishin ngritur për të interceptuar mjetin që nuk kontaktonte me kullat e kontrollit, pilotët e të cilëve nuk arrinin të shikonin njeri në bord.

Avioni kishte fluturuar nga Spanja drejt Këlnit në Gjermani por më pas ndryshoi kurs derisa u rrëzua në detin e Letonisë.

Avioni ishte ngritur dje pasdite nga Jerez në jug të Spanjës por shpejt raportoi për probleme me presionin e ajrit në kabinën e pasagjerëve, raporton e përditshmja gjermane Bild report.

Sipas raportimeve nga Danimarka, Suedia e Spanja, në pilotimin e avionit ishte biznesmeni gjerman Peter Griesemann, 72 vjeç.

Pasagjerë në bord ishin gruaja e tij 68-vjeçare Juliane, e bija Lisa, 26 vjeçe dhe i dashuri i saj 27-vjeçar, shkruan rrjeti Aftonbladet.

Avioni kishte ndryshuar dy herë drejtim pranë Parisit dhe Këln, para se të fluturonte mbi detin Balltik, pranë ishullit suedez Gotland.

Avionë ushtarakë ishin ngritur nga Danimarka e Gjermania, për t’u përpjekur të kontaktonin me ekuipazhin e mjetit, por raportonin se në mjet nuk arrinin të shihnin njeri në vendin e pilotit.

Zyrtari i lartë i flotës suedeze Johan Wahlstrom tha se pilotët kishin kontakt pamor me mjetin por nuk arrinin të shinin njerëz në kabinën e pilotimit.

Avioni dukej se fluturonte pa probleme derisa mbërriti pranë bregdetit të Letonisë kur papritur humbi lartësi dhe u përplas në det, sipas tyre prej “mbarimit të karburantit”.

Avioni tip Cessna 551 i regjistruar në Austri dhe besohet se ishte marrë privatisht me qera.

“Kemi mësuar se avioni është përplasur në det, në veriperëndim të qytetit të Ventspils në Letoni. Ai ishte zhdukur nga radarët”, tha një zëdhënës i shërbimeve suedeze të shpëtimit.

Autoritetet letoneze kishin dërguar anije në vendndodhje.

Eksperti i aviacionit Hans Kjäll tha për mediat suedeze se humbja e presionit në kabinë mund të ketë shkaktuar humbje të ndjenjave të pasagjerëve, por kjo nuk shpjegonte fluturimin e qetë që pilotët ushtarakë dëshmuan avionin të bënte.

Hetimet vijojnë.

FOTO GALERI
6/7
Eksperti i aviacionit Hans Kjäll tha për mediat suedeze se humbja e presionit në kabinë mund të ketë shkaktuar humbje të ndjenjave të pasagjerëve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA