Kjo e hënë shënon 25 vite nga vdekja e humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza. Shenjtorja ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në Kalkutë të Indisë.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”.

Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme të cilën e deshën të gjithë, dhe për veprat e mira që bëri u shenjtërua edhe nga Papa Françesku më 5 shtator 2016.

Ajo u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.

E para ishte dëshmia e Monika Besra nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak.

Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.

Murgesha ‘u lumturua’ po ashtu në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup, ku sot Krijuesi nga Gjakova Alkent Pozhegu, përmes drithërave ka krijuar një mozaik me portretin e saj. Ai nisi punën në orën 8 të mëngjesit dhe finalizoi krijimin e tij pas 5 orësh.

Ndërkohë edhe në Kosovë, janë zhvilluar homazhe tek shtatorja e Nënë Terezë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Nën Tereza u bë nëna e gjithë botës.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj tha se shenjtorja është dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA