Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se nuk arrijnë të shfrytëzojnë benifitet që ofron shfrytëzimi i energjisë diellore, pasi mbledhja e dokumenteve të shumta pamundëson ndërtimin e centraleve të vogla diellore për nevojat e kompanive.

Shfrytëzimi i energjisë elektrike nga centralet e vogla diellore dukshëm do të zvogëlonte koston e shpenzimeve pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut kanë bërë të ditur se kompanitë në Maqedoninë e Veriut tashmë kanë instaluar ose janë në proces të instalimit të paneleve diellore me kapacitet prej 45 megavatesh në orë, por shtojnë se kanë probleme serioze me kyçjen në rrjetin furnizues të energjisë elektrike.

Një nga ata që ka probleme është edhe afaristi Abedin Murati nga Tetova. Pas investimit prej 500 mijë eurosh, për vendosjen e paneleve diellore (fotovoltaikëve) thotë se tash e tetë muaj është duke pritur për t’u pajisur me leje që të kyçet në sistemin e rrjetit shpërndarës që të mund të shfrytëzojë rrymën e prodhuar.

“Në çatinë e dy fabrikave kam vendosur panele diellore, por nuk mund ta përdor rrymën e prodhuar për shkak të burokracisë së madhe rreth mbledhjes së dokumentacionit për lëshimin në përdorim. Tash e tetë muaj nuk mund ta kompletoj dokumentacionin, që ta vë në funksion centralin e paneleve diellore për nevojat e dy fabrikave që posedoj”.

“Na çojnë nga institucioni në institucion, për të nxjerrë këtë dokument apo atë dokument, kjo duhet, kjo jo… jo kanë shkuar në pushim administratorët… Unë edhe pse prodhoj rrymë, nuk mund ta shfrytëzoj, sepse nuk arrij të mbledh dokumentet për të marrë leje për kyçje në rrjetin furnizues me energji elektrike”, thotë Murati.

Afaristi tjetër, Angel Dimitrov, bën të ditur se në fabrikën e tij ka vendosur panele diellore prej 300 kilovatësh në orë.

Kjo, thekson ai, e ka ulur dukshëm koston e shpenzimeve, megjithëse shton se i është dashur më shumë se një vit që të kompletojë dokumentacionin e duhur për të të siguruar lejet e nevojshme.

“Pothuajse një vit të plotë na u desh të mbledhim tërë dokumentacionin e duhur, për të lëshuar centralin e paneleve diellore në prill të vitit 2020, megjithëse me investimet ne si kompani filluam që në fillim të vitit 2019”.

“Më duhet të theksoj se prodhimi i energjisë eklektrike nga panelet diellore gjatë kësaj periudhe na ka ndihmuar shumë pasi për kohën kur s`ka diell, ne blejmë rrymë 10 herë më të shtrenjtë nga ajo që kemi paguar gjatë vitit të kaluar për të njëjtën periudhë”, thotë Dimitrov.

Nga Oda Ekonomike thonë se në bazë të kalkulimeve të kompanive që janë shpenzuese të mëdha të energjisë elektrike, para krizës energjetike dhe rritjes së theksuar të çmimeve të energjisë elektrike investimi në panelet diellore është përllogaritur që të kthehet për 5 deri 7 vjet. Mirëpo, tani, me shtrenjtimin e energjisë elektrike ky investim kthehet madje edhe për një vit ose e shumta një vit e gjysmë (18 muaj).

Ndërkohë, Qeveria maqedonase gjatë kësaj jave u ka dhënë vizë ndryshimeve në Ligjin e ndërtimeve në pjesën për instalimin e fotovoltaikëve që shkurtojnë procedurat për instalimin e tyre.

“Amvisëritë do të kenë mundësi të instalojnë centrale diellore në kapacitet deri 6 kilovatë në orë, përderisa kompanitë deri në 40 kilovatë në orë. Te ndërtesat kolektive mund të instalohen panele diellore nga komuniteti i banuesve, por energjia elektrike të përdoret vetëm për hapësirat e përbashkëta”, ka sqaruar Blagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Këto ndryshime tani duhet të miratohen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Ekspertët thonë se as kjo nuk mjafton pasi në kushte krize çdo gjë duhet të orientohet në lehtësimin e prodhimit të energjisë elektrike dhe jo mbledhjen e dokumentacionit në kushte kur në vend ka një administratë shumë burokratike

“Tani më mirë çdokush që ka mundësi, t’i lejohet të prodhojë rrymë sesa shteti të vendosë kufizime. Nga prodhimi i energjisë elektrike përfiton shteti, qytetarët dhe jo vetëm kompanitë, sepse rryma e prodhuar në vend është shumë më e lirë nga ajo që blihet në tregun e lirë”, thotë Konstadin Dimitrov, ekspert i energjetikës.

Nga 1 korriku, në Maqedoninë e Veriut është shtrenjtuar energjia elektrike dhe është vendosur sistemi i të ashtuquajturave bllok-tarifa. Varësisht nga konsumi, faturat e rrymës janë shtrenjtuar nga 5.5 për qind deri në 138.7 për qind./REL

Top Channel