Ndërtimet e reja kanë bërë që bashkitë të rrisin ndjeshëm të ardhurat duke bërë që varësia ndaj të rritet gjithnjë e më shumë. Sipas të dhënave të Financave Vendore, të ardhurat nga burimet e veta të pushtetit vendor këtë periudhë arritën në 8.6 miliardë lekë, gati dyfish më shumë se kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të shkuar.

Rreth gjysma e tyre, 4.4 miliardë lekë apo mbi 37 milionë euro janë para të mbledhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtesa të reja, tarifa që ndërtuesit i paguajnë pushtetit vendor. Pjesa më e madhe është mbledhur nga bashkia Tiranë që kryeson edhe listën me më shumë leje të dhëna për këtë periudhë.

Në tremujorin e parë 2022 INSTAT raporton për 397 leje të miratuara për ndërtesa të reja, ndërsa si raport 6-mujor totali arrin në 736 leje për objekte të reja në të gjithë vendin, ndjeshëm më shumë se vitin që lamë pas, çka do të thotë se ndikimi në të ardhura edhe për tremujorin e dytë do të rezultojë i konsiderueshëm nisur nga numri i lartë i lejeve të dhëna.

Rritje kanë shënuar edhe të ardhurat e grumbulluara nga taksat mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 9.5 milionë euro në tre muajt e parë të vitit, ku peshën kryesore rreth 70% të tyre e mbajnë të ardhurat nga taksa mbi ndërtesën.

Por, megjithëse 61 bashkitë e vendit kanë mbledhur në arkën e tyre si total për 7-mujorin e këtij viti 18.7 miliardë lekë, më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, sërish shifrat janë larg pritshmërive të Ministrisë së Financave që në aktin normativ të rishikuar të buxhetit parashikonte që për këtë periudhë arkëtimet nga pushteti vendor të arrinin në 27.6 miliardë lekë.

Qeveria mesa duket tashmë ka nisur punën për të vënë në funksion planin e saj për dërguar administrator në njësitë bashkiake problematike që nuk përmbushin detyrat në mbledhjen e të ardhurave dhe uljen e detyrimeve të prapambetura. Financat kanë shpallur konkursin me kriteret për përzgjedhjen e tyre dhe mbetet për t’u parë se si do të vijojë procesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA