4 ditë më parë doli në media duke kërkuar drejtësi për djalin që i ishte akuzuar për vrasje, ndërsa sot Ismet Çekorja, 57 vjeç, u ekzekutua me breshëri plumbash.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në lagjen “Guerrile” të Shkodrës, e njohur ndryshe edhe si Kirasi.
57-vjeçari ndodhej afër banesës së tij kur është qëlluar disa herë nga një person ende i paidentifikuar duke e lënë të vdekur.
Pastaj autori është larguar me shpejtesi nga zona. Ardhja e autoambulancës dhe mjeket nuk mund ta shpëtonin Çekorjen i cili kishte marrë plagë të renda.
Ismet Çekorja u bë i njohur pak ditë më parë kur doli në një konferencë për mediat në Shkodër dhe shfajësoi djalin e tij. Por 57 vjeçari duket se e priste një sulm ndaj tij, kur tha se nuk kishte frikë as nga bandat e veshura me pushtet.
“Unë kam dalë këtu me u shfajsu, me thënë që nuk i kam kujt borxh. Asnjërit që përmenda. Janë bërë një grup bandash të lidhur me bandita të veshur me pushtet që djalin tim e kanë frikë dhe duan me sesbën ta fusin brenda. Por ne nuk kemi frikë as shtetin dhe as ata hajna kasollesh biçikletash e lopësh. Unë nuk i kam frikë hiç se a janë gjallë apo se a janë vdekur”, tha ai disa ditë para se të vritej.
57- vjeçari është babai i Bajram Çekorjes, ky i fundit i shpallur në kërkim për atentatin ndaj shtetasit Alban Bruçi mbrëmjen e 25 gushtit në Shkodër.
Ndaj këtij të fundit u qëllua 19 herë me arme zjarri por arriti të shpëtonte për mrekulli. Të nesërmen policia shpalli në kërkim si autorë të dyshuar Bajram Çekoren dhe Tornato Fushën.
Ismet Çekorja, asokohe, akuzoi policinë se për çdo ngjarje kriminale që ndodh në Shkodër, fajësohet i biri i tij, madje vendosi në dispozicion edhe disa pamje kamerash sigurie për të cilat pretendonte se djali ishte i pafajshëm.
Tashmë mbetet e paqartë nëse vrasja e Ismet Çekores ka lidhje me ngjarjen e fundit apo ka të bëjë me konflikte të tjera të mëparshme të familjes Çekorja.
Top Channel