Agjencia britanike QAA e vlerësoi Universitetin Europian të Tiranës, se i përmbushte të gjitha standardet e cilësisë të vendosura në zonën europiane të arsimit të lartë.
Lidership i shkëlqyer, këshillim frytdhënës për studentët e ardhëm dhe bashkëpunim i fortë me grupet e interesit nga industria e biznesi, si edhe ofertë akademike që pasqyron kërkesat e tregut të punës për profesionistë të rinj. Rektori Tonin Gjuraj shpjegon pse UET zgjodhi t’i nënshtrohet shqyrtimit rigoroz ndërkombëtar dhe ambiciet për t’u shtrirë përtej tregut lokal të arsimit të lartë
Universiteti Europian i Tiranës i përmbush të dhjetë standardet e cilësisë të përcaktuara në Pjesën e Parë të Standardeve dhe Udhëzimeve për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Europiane të Arsimit të Lartë, e njohur ndryshe si ESG. Është ky konkluzioni i ekipit vlerësues të agjencisë britanike e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, i cili kreu një proces të imtë shqyrtimi dhe vlerësimi në UET, gjatë këtij viti. Ky vlerësim nga agjencia britanike QAA, u ofron institucioneve jashtë Britanisë së Madhe, mundësinë e një vlerësimi ndërkombëtar.
“Sapo kemi përfunduar procesin e vlerësimit ndërkombëtar institucional nga një agjenci britanike QAA, anëtare e ENQA-s, që është rrjeti europian për sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë. Sipas ligjit shqiptar për arsimin e lartë , nëse një institucion i arsimit të lartë dëshiron të realizojë një vlerësim institucional periodik, duhet ta bëjë me kushtin që agjencia të jetë anëtare e ENQA-s”, tha rektori i UET Prof. Dr. Tonin Gjuraj.
Sipas raportit përfundimtar, i cili është botuar edhe në faqen zyrtare të QAA, Universiteti Europian i Tiranës i ka përmbushur plotësisht ato që njihen edhe si 10 ESG-të apo standardet dhe udhëzimet e përcaktuara më 2015-n, për zonën europiane të arsimit të lartë.
Ashtu siç e thekson edhe raporti i agjencisë së huaj, Universiteti Europian i Tiranës i është nënshtruar vazhdimisht proceseve vlerësuese të institucionit, si edhe të programeve studimore, duke e pasur cilësinë si një nga shtyllat kryesore të misionit të tij.
“Ne vendosëm ta ndërmarrim këtë hap, edhe për të ruajtur traditën e mirë të bashkëpunimit me këtë agjenci të mirënjohur të vlerësimit të jashtëm, por pas 15 viteve ekzistencë, deshëm që të gjitha standardet dhe udhëzimet të jenë ato europiane. Siç dëshmohet nga raporti zyrtar, të dhjetë standardet janë përmbushur plotësisht pa asnjë kusht”.
Vlerësime të tilla, nga agjenci me reputacion ndërkombëtar janë të rëndësishme për çdo universitet e veçanërisht për Universitetin Europian të Tiranës si një institucion relativisht i ri, në vitin e 16-të të ekzistencës.
“Së pari është reputacionale, nga pikëpamja e imazhit. Por edhe nga ana praktike, ne kemi ballafaquar standardet tona me ato europiane dhe ky raport evidenton të gjitha praktikat e mira të UET-it në gjashtë vitet e fundit në raport me këto dhjetë fusha, pastaj ne do ta lexojmë midis rreshtave që ta përmirësojmë më tej punën, se në këtë raport ka edhe rekomandimet e veta, që është krejt normale”.
Ky raport nuk është vetëm nga ata që i duhet universitetit për statistika. Rektori thotë se ka aspekt praktik për studentët. Ata që e zgjedhin UET këtë vit akademik apo ata që kanë përfunduar ciklin bachelor, kanë një garanci të vulosur se diploma i përket një universiteti që i përmbush standardet europiane. Kjo ua bën më të lehtë edhe lundrimin në tregun universitar europian për të vijuar më tej studimet, për ata që kërkojnë një përvojë jashtë vendit.
“Ndërkombëtarizimi nuk ka të bëjë vetëm me marrëveshjet dypalëshe me universitete të huaja. Jam i sigurt që çdo universitet i kam e qindra. Nuk do të thotë as programet e përbashkët apo të dyfishtë. Do të thotë të ndërkombëtarizosh përmbajtjen e programeve të studimit. Është edhe çështje besueshmërie, përveçse reputacionale”.
Pas 16 vitesh që operon në treg, UET ka hedhur sytë përtej tregut lokal të arsimit të lartë, drejt ndërkombëtarizimit. “Bazuar te ky raport do të dimë të vijojmë kontaktet dhe punë me këtë komunitet akademik ndërkombëtar dhe me këtë agjenci apo të tjera, në mënyrë që standardet të barazohen me ato europiane dhe ndërkombëtare që kjo t’i lehtësojë studentët, për mobilitetin e tyre”.
Top Channel