Rama paralajmëron dimër të vështirë: Do i drejtohemi zyrtarisht me letër Brukselit, për mbështetje financiare ekstra

02/09/2022 13:40

Kryeministri Edi Rama paralajmëron dimër të vështirë sa i takon furnizimit me energji elektrike.

Nga Beogradi, ku mori pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur, Rama tha se vende si Franca e Britani po diskutojnë plane të përfshijnë fikjen e dritave pas orës 22:00 në rrugë, në vitrinat e dyqaneve, mbyllje në 22:00 si në kohën e pandemisë për të kursyer energji. Ndër të tjera Rama përsëriti apelin ndaj BE, ndërsa kërkoi prej saj të mos mbyllet si me pandeminë, duke lënë jashtë vendet e Ballkanit.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se do I drejtohen me një letër zyrtare Brukselit, për mbështetje financiare ekstra sa I takon energjisë, dhe ftoi edhe vendet jo anëtare të Ballkanit të Hapur për të hedhur firmën.

“Ky dimër ka gjasë të jetë dimri më i vështirë që kemi hasur. Në Ballkan nuk kemi patur dimra të lehtë. Sot që flasim në Kosovë ka orë ndërprerje energjie por ndërkohë edhe në vende si Britania Franca po paraqiten plane shkurtimesh të energjisë. Plane që përfshijnë fikjen e dritave pas orës 22:00 në rrugë, në vitrinat e dyqaneve, mbyllje në 22:00 si në kohën e pandemisë për të kursyer energji.

Kemi diskutuar për çfarë po na kushton mos çuarja e kësaj krizë mbi shpatullat e qytetarëve tanë. Është një marrëveshje konkrete për hapa konkretë. Nuk jam i bindur nëse është shumë ambicioz apo i çmendur për të mos e prekur çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin e vogël, por kjo do të thotë qindra miliona euro që dalin nga arka e shtetit për të mbuluar shpenzimin koston, dhe këtu nuk është çështja e mld në serbi, çështja është sa gjatë do të vijojë kjo çështje.

I adresoj BE apelin e përsëritur që të mos bëjë me ne turpin që bëri në kohën e pandemisë. BE u mbyll dhe pa vetëm mureve të kështjellës së vet. Fatmirësisht të gjithë liderët e BE e kanë pranuar që ky ka qenë një turp.

Na duhet një Evropë politike, një bashkim strategjik për të mos përsëritur një situatë si e pandemisë. Vendet e BE kanë buxhetet e tyre dhe të BE ndërkohë ne kemi vetëm buxhetet tona. Do i drejtohemi me shkrim Brukselit dhe vendeve anëtare, do pranonim edhe tre vendet e tjera, për t’i kërkuar mbështetja financiare ekstra përveç buxheteve tona.

Kemi përpara 7 muaj shumë të vështirë, për Shqipërinë do të thotë në rastin më të mirë afro gjysmë miliardë euro. Shpresoj të na dëgjojnë e të jemi edhe ne pjesë e ndarjes së kësaj përgjegjësie.”- tha Rama.

Top Channel