Në samitin e Beogradit të “Open Balkan”, janë firmosur pesë marrëveshje dhe memorandume.

Njëra ka të bëjë me sigurinë ushqimore në rajon, një plan veprimi për emergjencat civile dhe dy memorandume bashkëpunimi, i pari për minierat dhe energjinë dhe memorandumi i dytë ka të bëjë me prodhimin artistik dhe kinematografinë.

Top Channel ka zbuluar detajet e dy prej këtyre marrëveshje. Sa i përket sigurisë ushqimore, marrëveshja do të ketë një kohëzgjatje 5 vjeçare dhe Serbia do të jetë pala përgjegjëse. Në të përcaktohet se vendet do të ndihmojnë njëra-tjetrën nëse do të kenë mungesa të produkteve agroushqimore, ku përfshihen: misri, gruri, vaji i lulediellit, qumështi dhe nënproduktet e tij, sheqeri, frutat, perimet dhe mishi.

Në dokument përcaktohet se asnjë vendi nuk i lejohet t’i rieksportojë këto produkte në vende të tjera, por të përdoren vetëm për qëllime të brendshme.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes brenda 30 ditëve do të krijohet një grup pune i përbashkët mes vendeve, ku pjesëmarrës do të jenë kryetarët e dhomave të tregtisë, drejtuesit e doganave dhe të tjerë përfaqësues të vendosur nga qeveritë respektive. Vendet duhet të bashkëpunojnë për të përcaktuar se cilat janë sasitë e grurit që mund të magazinojnë brenda 90 ditëve.

Ne, së bashku me ministrat e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut kemi ngritur një mekanizëm ku edhe nëse vende të ndryshme vendosin të krijojnë një kufizim për vendet e tjera, brenda tre vendeve nuk do të ketë kufizime. Shqipëria ka importuar rreth 50% të nevojave të veta për grurë dhe drithëra. Nëse Ukraina ka qenë vendi kryesor i origjinës të importeve tona, ai vend është në luftë dhe ne kemi nevojë të kemi tregje të tjera”, tha Frida Krifca.

Ndërkohë memorandumi për minierat dhe energjinë përfshin bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes shteteve për studime gjeologjike dhe shfrytëzimin e mineraleve.

“Marrëveshja është mes Shqipërisë dhe Serbisë, por do mund të përfitojnë edhe vendet e tjera pjesë të nismës. Për ta shpjeguar thjeshtë, ideja është që Shqipëria ka shumë rezerva të qymyrit dhe që rrinë të fjetura. Serbisë i duhen këto rezerva për termocentralet e saj dhe në këtë mënyrë do arrijmë të ndihmojmë njëra-tjetrën”, tha zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Gjithashtu krijohet mundësia për investime në këto fusha, ndërsa tek sektori i energjisë pritet të ndërlidhen edhe më shumë sistemet e dy vendeve si edhe në fushën e gazit natyror.

Top Channel