I biri dyshohet si vrasës/ Kjo është intervista e fundit që viktima Ismet Çekorja dha disa ditë më parë në mbrojtje të djalit

02/09/2022 16:21

Viktima e ditës së sotme në Shkodër, Ismet Çekorja është babai i Bajram Çekores, i cili dyshohet si autor i atentatit ndaj shtetasit Alban Bruçi, disa ditë më parë në Shkodër.

Vetëm disa ditë para se të vritej, Ismet Çekorja foli për mediat ku mbronte të birin dhe deklaronte se ai është i pafajshëm, gjë për të cilën thoshte se kishte prova.

“Ditën e krimit im bir ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë, është i pafajshëm”, kështu u shpreh Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, ky i fundit i dyshuar si autor i atentatit ndaj shtetasit Alban Bruçi.

Ismet Çekorja u shpreh gjatë intervistës se prej tri vitesh policia e Shkodrës i është vënë në shpinë djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohet nga policia. 58 vjeçari mohoi se djali i tij është i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera kriminale për të cilat ka qenë i dyshuar.

Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut një kohë që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prapë më kanë thirrur mua dhe djalin. Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time një kohë që kemi kaq shumë vite që jemi fqinj. U plagos Admir Bajri, prapë në banesën time një kohë që familja jonë e ka pasur një lloj njohje me familjen e tyre.

Po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë. Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera.

Këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa bandit, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia. Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ngjarjeve kriminale për të cilat është i dyshuar. Janë të gjithë inskenime dhe tani ai duhet të qëndrojë rrugash dhe nuk mundet as të punojë as asgjë. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhen ngjarjet, është shprehur Ismet Çekorja.” -u shpreh ai.

Alban Bruçi u qëllua me 19 plumba më 25 gusht në Shkodër, por arriti që të shpëtojë pa u plagosur. 25 vjeçari shkoi vetë në polici dhe bëri një kallëzim për këtë atentat për të cilin policia ka shpallur në kërkim shtetasin Bajram Çekorja dhe një person tjetër.

Ismet Çekorja ishte objektivi i sulmit me armë zjarri ditën e sotme në lagjen “Guerrile” të Shkodrës..Ndaj tij, autori/ët ende të paidentifikuar, qëlluan disa herë duke e lënë të plagosur rëndë. 57-vjeçari u dërgua në spital, por nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA