Meta kallëzoi Autoritetin e Dosjeve/ Balla: Prokuroria të mos bëhet rëra ku “spiuni I.M.” të fshehë kokën

01/09/2022 12:54

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka ironizuar padinë që kreut i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dorëzoi sot në Prokurori për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, socialisti shkruan se “të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja e tij Genta Sula kanë respektin e mbështetjen tonë në punën e tyre”.

Balla kërkon nga Prokuroria hetim në respektim të ligjit dhe duke respektuar institucionet, ndërsa Metën e pyet se përse nuk kërkon hapjen e dosjes së tij.

“Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve që vijnë nga familje të persekutuara prej regjimit komunist dhe sot janë kallëzuar nga Ilir Meta si falsifikatorë dhe si vegla të pushtetit, ju sugjeroj miqësisht ta marrin këtë zhvillim si ilustrimin e asaj shprehjes: Historia ndodh si tragjedi dhe përsëritet si komedi!

Shantazhi absurd i Ilir Metës ndaj tyre është një tjetër arsye për të dyshuar fort se spiuni I.M nuk është askush tjetër, po pikërisht ai që tanimë mendon gjithë Shqipëria.

Uroj që prokuroria të mos bëhet rëra ku Ilir Meta të fshehë kokën si struci në pafundësi, po të respektojë ligjin, institucionet dhe të drejtat e detyrat e drejtuesve të tyre.

Ndërsa Ilir Meta që s’po le gjë pa bërë, pse dreqin s’po e bën gjënë më të thjeshtë në botë: Kërkesën për hapjen e dosjes së tij! Apo është peng i spiunit I.M”, shkruan deputeti socialist.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dorëzuar këtë 1 shtator në Prokurorinë e Tiranës dhe në Prokurorinë e Posaçme kallëzimin për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Sipas tij, “anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës”.

Kallëzimi i ish-presidentit vjen pasi Autoriteti i Dosjeve nxori inicialet I.M., e një politikani të niveli të lartë si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Meta tha se institucioni i Autoritetit po përdoret në mënyrë kriminale në interes të Edi Ramës.

Top Channel