Samiti i radhës i “Ballkanit të Hapur” do të mbahet këtë fillim shtatori në Beograd të Serbisë.

Ndryshe nga herët e tjera, të pranishëm në këtë samit do të jenë Hungaria dhe Turqia.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, do të presin ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

I pranishëm do të jetë dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnje-Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija.

Megjithatë, sipas Radio Evropa e Lirë, Tegeltija nuk ia ka konfirmuar pjesëmarrjen presidencës së Bosnjës.

“Presidenca e Bosnje-Hercegovinës nuk ka qëndrim për t’iu bashkuar iniciativës Ballkani i Hapur dhe as kryetari i Këshillit të Ministrave nuk ka ofruar hollësi lidhur me pjesëmarrjen e tij në Beograd”, ka thënë kabineti i Xhaferoviçit.

Sipas presidencës serbe, liderët pritet të takohen me përfaqësues të institucioneve që merren me tërheqje të investimeve dhe të grupeve të krizave për furnizim me ushqim dhe energji.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tri nismëtarët e “Open Balkan”, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Top Channel