Një ngjarje e rëndë tronditi Lezhën mbrëmjen e së hënës, ku mbetën të vranë babë e bir nga ish-dhëndri i tyre.
Viktimat Pjerin dhe Gent Përjaku, u vranë me armë zjarri në banesë nga Besnik Pjetri, i cili vijon të jetë ende në arrati.
Edhe pse janë ngritur shumë pika kontrolli nga ana e policisë, ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorit.
Familja Përjaku ka hapur dyert e mortit që prej ditës së djeshme, ndërsa dy viktimat do të përcillen sot në banesën e fundit.
Si ndodhi ngjarja:
Viktimat jetonin në Itali prej 20 vitesh, ndërsa ishin kthyer në Lezhë vetëm një ditë para ngjarjes, por pushimet rezultuan fatale për ta.
Vrasja e dyfishtë ndodhi pak para mesnatës në fshatin Grykë Zezë të Lezhës, ku pas sherreve të vazhdueshme pas divorcit me gruan, Besnik Pjetri vendos të vrasë babanë dhe vëllanë e saj. Ky i fundit la pas një vajzë 4 vjeçe.
Dyshohet se shkak për konfliktin janë bërë vajzat mes çiftit të divorcuar, të cilat mendohet se pas ndarjes nuk i ka takuar. Po ashtu burime bëjnë më dije çifti ka patur konflikte të vazhdueshme edhe pse ishin divorcuar 6 vite më parë.
Për Top Channel, fqinjët kanë treguar se familja e viktimave ishte e qetë ndërsa Genti ishte djalë i vetëm.
“Familje e mirë, e mrekullueshme. Taksirati të gjen. Kanë pas jetuar, por para 20 vitesh kanë ikur në Itali. Me vra fëmijën, po jo në këtë gjendje. Djalë i vetëm, atë djalë edhe vajzën kanë pasur. Vinin çdo vit këtej në Shqipëri rinin deri në 10 dite. Nuk e di se kur ka ndodhur, por asgjë nuk kam dëgjuar. Jam çudit. S’kanë pas konflikte, andej nuk e di, por këtej jo”, u shpreh njëri nga banorët.
Kujtojmë se gjatë muajt gusht qarku Lezhë ka patur 2 plagosje, ku njëra prej tyre vijon të mbetet pa autor dhe 2 vrasje ku e fundit me dy viktima, ndërsa autori vijon të jetë në arrati.
Top Channel