Vrasësi i skenografes Alec Baldwin, paditet për $25 milionë nga familja e marinsit të vrarë në Kabul (fotot)

31/08/2022 18:18

Aktori amerikan Alec Baldwin po paditet nga familja e një marinsi të vrarë vitin e kaluar në aeroportin e Kabul në Afganistan, pasi kishte turpëruar publikisht motrën e tij sepse kishte marrë pjesë në protestat pro-Trump në Kongresin amerikan.

Kjo është hera e tretë që familja e ushtarakut të ndjerë Rylee Mcollum tenton të veprojë kundër aktorit të fuqishëm të Hollywood, por tentativat e mëparshme kishin dështuar për “gabime në procesin e ankimimit”, shkruajnë mediat amerikane e britanike.

Në versionin e fundit të padisë, 23 vjeçarja Roice Mcollum publikonte abuzimin online që ka marrë pasi Alec Baldwin e kishte evidentuar në postimet e tij dashakeqe.

Baldwin kishte postuar një foto të Roice në rrjetin Instagram, ku dënonte pjesëmarrjen e saj në protestat kundër vjedhjes së votës në SHBA dhe më pas i dërgonte mesazhe private në Instagram ku i thoshte “Tani ta tregoj unë!” dhe e evidentonte atë te më shumë se 2 milionë ndjekës që aktori famekeq pro-demokrat ka në rrjet.

Në mesazhet private, vrasësi i skenografes së filmit të tij, i shkruante të resë: “Unë kam dhënë kontribute për vdekjen e vëllait tënd, prej respektit për shërbimin e tij ndaj vendit, nuk do ta kisha bërë nëse e dija se ti kishte marrë pjesë në protestat e 6 janarit në Kongres”.

Roice ishte përgjigjur se ‘të protestosh është diçka e ligjshme në SHBA’, por 64 vjeçari Baldwin replikonte: “Më duket se jo. Aktivitetet e tua çuan në shkatërrim të pronës së qeverisë dhe vdekjen e një oficeri të rendit. Tani unë po ripostoj foton tënde. Fat të mbarë”, shkruante ai me ironi.

Roice thotë se më pas llogaria e saj ishte mbushur me shprehje abuzive nga aktivistë të paguar demokratë, disa prej të cilave i thonin se vëllai i saj “meritonte të vdiste”.

Gruaja e ve e vëllait të Roice i është bashkuar padisë ndaj aktorit.

Familja e Mcollum ka kritikuar shpesh presidentin Joe Biden për tërheqjen katastrofike të ushtarëve amerikanë nga aeroporti i Afganistanit ku u vranë të paktën 13 efektive amerikanë më 26 gusht 2021.

FOTO GALERI
1/7
23 vjeçarja Roice Mcollum (majtas) publikonte abuzimin online që ka marrë pasi Alec Baldwin (djathtas) e kishte evidentuar në postimet e tij dashakeqe

Top Channel