Park në oborr të “mbretit”/ Projekti austriak në mes të të kryeministrisë, kushton katër milion euro

31/08/2022 19:52

Godina e Kryeministrisë do të pësojë një ndryshim tjetër. Kryeministri Edi Rama herë pas here ka sjellë transformime të pjesshëm në pallatin e pushtetit.

Pas heqjes së kangjellave, shtimit të instalacionit “Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë”, e vendosur në kopshtin e selisë së qeverisë, vepër arti, dhuruar nga autori Carsten Holler.  Ndryshimi në hyrje gjithashtu me vendosjen e një vepre arti instalative me dritë  “le Marquee” (markiza)  nga Philippe Parreno.

Ndryshimi i radhës i përket oborrit të brendshëm të Kryeministrisë.  Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë ky oborr do të kthehet në një hapësirë protokollare ku do të bëhen të gjitha ceremonialet kur vijnë krerë shtetesh, të cilat deri më tani janë bërë në Bulevardin “ Dëshmorët e Kombit”.

Kësaj here projekti i është besuar arkitektit austriak Kris Pretç, studio e të cilit  po zhvillon një projekt, të stilit të ngjashëm me Kopshtin e Edenit.

Në fund të javës së kaluar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli tenderin “Instalacion me strukturë druri në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë, ‘Parku Eden’”, në të cilin janë vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit 4.3 miliardë lekë të vjetra ose rreth 4 milionë euro së bashku me TVSH. Projekti përveçse një vlerë estetike do të ketë edhe funksionin e një hapësire protokollare.

Godina e Kryeministrisë është monument kulture i kategorisë së dytë. Objekti u projektua më 1939-ën nga arkitekti italian Gherardo Bosio dhe në fillim mbajti emrin ‘Pallati i Mëkëmbësisë’. Ajo është pjesë e aksit monumental të Tiranës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA