Duke cituar një fizikant të shquar Gorbaçov ka thënë dikur: “Tek e fundit, nuk është edhe aq keq të vdesësh. Mikail Gorbaçov Nobelisti për Paqen, për ndryshimet rrënjësore, që solli mes Lindjes dhe Perëndimit, e vizitoi vendin tonë në 2011 me një ftesë private, në kuadër të Kampionatit Botëror për Femra në Shah, që u mbajt në Tiranë.
Ndër mikpritësit e pakët ishte edhe Shpëtim Nazarko, që vjen për ne, me këtë rrëfim.
“Unë mendoj që ka vdekur një nga individët më të mëdhenj të shekullit të 20. Në Tiranë qëndroi 2 ditë. Ditën që mbërriti e kaloi tërë darkën duke pirë birrë dhe një përzierje të çuditshme vodka me birrë, pa e vrarë mendjen fare dhe duke kënduar për 3 orë rresht. Atëherë ishte 80 vjeç dhe kishte bërë 4 bypass-e në zemër, si dhe një operacion syri, për shkak të të cilit, siç më tha, u detyrua të shtynte ardhjen në Shqipëri, pasi Gorbaçovi ishte presidenti I shkollave të të gjithë botës, për sportin e shahut. Kjo ishte një nga arsyet, që ai e pranoi ftesën private, për të ardhur në Shqipëri, të cilën përgjithësisht e njihte, por jo ashtu siç mendojmë ne.
Momentin që e ftova më tha, nuk do të vij, sepse ju na keni marrë ato vajzat e bukura ruse dikur. Ajo që më ka bërë çudi është se në shumë fotografi, që nga koha që u takuam ishte gjithnjë me të njëjtën xhaketë, një xhaketë nëpunësi me ato mëngoret, pa I përfillur fare ato rregullat e zakonshme.
Ditën që erdhi këtu, klasa politike këtu nuk e priti Gorbaçovin. U prit në aeroportin e Rinasit vetëm nga një person privat dhe po nga ai u përcoll. As Rama që në ato kohë ishte udhëheqës i opozitës dhe as Berisha, I cili I dha një drekë private, pothuajse të panjohur për shtypin atë kohë, nuk treguan ndonjë interes për të. Nuk është ndonjë çudi, për mendimin tim, pasi klasa politike lindore, në momentin që e shikon që udhëheqësi I saj nuk jep më, apo ua merr ato privilegjet, për ta nuk ka rëndësi fare se çfarë bën ai në jetën e tij.
Pavarësisht se ne e gjykojmë si demokrat Gorbaçovin, ai nuk ishte i tillë siç perceptohej, dhe për këtë arsye mbetet një nga individët më të çuditshëm të shekullit të 20-të, i cili ndryshe nga Putini, ai kishte idenë jo të zgjerimit të hapësirave të Bashkimit Sovjetik. Dhe këtë nuk e bëri për demokracinë, por e bëri për një arsye shumë të thjeshtë. Rusia e pasur me 90% të rezervave të arit, naftës, lëndëve drusore, grurit, të gjithçkaje tjetër, me një elitë të klasit të parë. Është toka që ka lindur Dostojevskin, Tolstoin, Çajkovskin etj., mund të rronte fare mire, duke lëshuar ish skllevërit e Lindjes komuniste të cilët, pasi të fitonin lirinë detyrimisht do të ktheheshin prapë tek Rusia, sepse do t’I paguanin kësaj për gazin, naftën, etj., të cilat nuk do t’I përfitonin më, vetëm e vetëm se ishin pjesë e kampit sovjetik. Psikologjia e Gorbaçovit është shumë herë më moderne sesa ajo e Putinit, I cili kërkon të rizgjerojë Bashkimin Sovjetik, një ëndërr e parealizueshme dhe e pakuptimtë nga pikëpamja e individit që studion historinë. Kështu që në këtë pikëpamje Gorbaçovi është sipas mendimit tim një nga individët më të shquar të shekullit të 20-të. Dhe jam I lumtur që kam patur rastin ta takoj dhe të bisedoj gjatë me të jo vetëm për probleme të karakterit politik, por edhe për ato të shkencës, lehtësisë e filozofisë, sepse ishte një njeri me interesa shumë të gjera, të cilat duket se nuk I reflektonte në atë të përgjithshmen, por në qetësinë e njeriut që është në mbrëmjen e moshës së vet, mund të bëje biseda të këtij lloji. “- tha Shpëtim Nazarko, Publicist.
Top Channel