Ekskluzive/ Jashtë ligjit partitë e “spiunëve”! Socialistët përgatisin ndryshimet ligjore në ligjin për partitë politike

31/08/2022 19:38

Krahas ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit, me qëllim pastrimin e politikës nga bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit,  ndryshon edhe ligji për partitë politike.

Kryetarët aktual të partive politike dhe ata që do ti pasojnë në të ardhmen,  nëse nuk kalojnë filtrin e dekriminalizimit për pastërtinë e figurës në aspektin ligjor dhe atë të bashkëpunimit me ish sigurimin e shtetit, u ndërpritet drejtimi një force politike. Moszbatimi ligjit çon  deri në shpërbërjen e forcës politike.

Ky është thelbi ndryshimit të Ligjit për Partitë Politike në Shqipëri që vjen si një tjetër iniciativë ligjore e Partisë Socialiste.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu,  ka siguruar draftin me këto ndryshime që do ti paraqitet të premten për diskutim konferencës së kryetarëve.

Nenit 1 të ligjit aktual i shtohet edhe një pikë tjetër ku sanksionohet ndalimi ushtrimit të detyrës të një kryetari kur vërtetohet se është zgjedhur në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit.

Ndryshon edhe neni 9 duke vendosur kushte të reja për regjistrimin e një partie politike.

 “Përpara regjistrimit, organet themeluese i kërkojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve verifikimin nëse kryetari i zgjedhur i partisë përfshihet në ndalimet e parashikuara nga ligji nr.138/2015.  Vërtetimi negativ i lëshuar nga KQZ-ja është pjesë e dokumenteve për regjistrimin e partisë.”

Neni 26 parashikon se Në rastet kur KQZ-ja vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit sipas ligjit të dekriminalizimit

i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi.

“Në rast se me kalimin e afatit dy mujor, partia politike nuk ka zbatuar procedurat statutore për zëvendësimin e kryetarit, ose, sipas rastit, nuk ka zgjedhur kryetarin e ri, atëherë KQZ-ja vendos ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë së partisë politike. Vendimi i KQZ-së regjistrohet në regjistrin e partive politike. Kërkesa paraqitet nga KQZ-ja në sekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Tiranë. Gjykata vendos për pranimin e kërkesës, shpërndan partinë politike dhe e çregjistron atë në përputhje me shkronjën “d” të nenit 26 të këtij ligji.”

Për zbatimin e këtyre ndryshimeve është vendosur edhe një dispozitë kalimtare.

“Organet përfaqësuese të partive politike që janë të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij i paraqesin kërkesë KQZ-së për vërtetimin e kushteve ndaluese për kryetarin e partisë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit për dekriminalizimin. Me kalimin e afatit prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, KQZ-ja vendos ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë dhe paraqet kërkesën në sekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Tiranë.”

Kjo kërkesë e KQZ shqyrtohet nga Gjykata  e cila merr  vendim brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA