Një vajzë një-vjeçare raportohet se ka vdekur sot në Spanjë gjatë një stuhie ‘horror’ me kokrra breshëri mesatarisht sa një top tenisi, teksa vendi përballet me një valë të paprecedentë moti ekstrem.
E vogla tragjike ishte mes 30 të lënduarve nga pasojat e drejtpërdrejta të stuhisë së djeshme të breshërit në rajonin e Katalonjës, të përqendruar në qytezën La Bisbal de l’Emporda.
Ajo u dërgua në spitalin Josep Trueta Hospital në Girona por vdiq mëngjesin e sotëm prej traumave të rënda në kokë.
Një grua ishte sot ende e shtruar në të njëjtin spital prej plagëve të stuhisë vrastare të breshërit.
Të gjithë ata që u dërguan në spital kishin të vrara ose të prera nga akulli, disa prej të cilëve dhe thyerje të lehta.
Shumë makina e ndërtesa u dëmtuan nga kokrrat gjigante të breshërit, teksa zyrtarët e qytezës së Girona thanë se nuk kishin parë breshër të tillë prej të paktën 20 vjetësh.
Stuhia nisi rreth orës 7.30 pasditen e të martës, disa minuta pas së cilës vajza e vogël pësoi goditjet fatale në kokë, shkruante rrjeti britanik Daily Mail, duke cituar të përditshmen vendase Murcia Today.
Nuk ka të dhëna mbi indentitetin apo vendndodhjen e saktë të incidentit me dy-vjeçaren.
Rrjetet spanjolle thonin se dhjetra telefonata emergjence ishin marrë nga zjarrfikësit e policia.
Foto e video të publikuara nga rajoni tregonin kokrrat e mëdha të breshërit që përplaseshin në tokë e ndërtesa.
Në një video, gurët e breshërit shiheshin të binin rëndë në ujin e një pishine duke ngritur pika të mëdha në ajër.
Ekspertët thonë se rreziku i cikloneve dhe fenomeneve ekstreme ka lidhje me valën e të nxehtit.
Në shtator 2019 stuhi të ashpra në rajonet spanjolle të Alicante e Murcia, morën jetën e shtatë njerëzve, sipas Daily Mail.
Top Channel