Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka nisur procedurën për dekretimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Në shkresën dërguar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kreu i Shtetit kërkon t’i vihet në dispozicion vendimi për shpalljen rezultatit final për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, mbajtur në 2019.

“Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencës së parashikuar në pikën g, të nenit 92, të Kushtetutës dhe pikën 1, të nenit 10, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, do të caktojë me Dekret datën e zgjedhjeve per organet e qeverisjes vendore.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë dhe interesin e lartë që kanë zgjedhjet vendore në Republikën e Shqiperisë, kërkojmë vënien në dispozicion nga ana juaj, të vendimit “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” të vitit 2019”, -thuhet në shkresën drejtuar KQZ, e që mban firmën e drejtorit të ri të kabinetit në Presidencë, Eduart  Seitaj.

Top Channel