Vdes burri i fundit i grupit indigjen të pakontaktuar, që jetonte në gropat e xhunglës së Brazilit (fotot)

29/08/2022 18:50

Autoritetet në Brazil thonin se ka vdekur anëtari i fundit i një grupi indigjen pa kontakte me civilizimin, që kishte jetuar në izolim në 25 vitet e fundit.

Burri, emri i të cilit nuk dihej, njihej si “Njeriu i gropave” pasi gërmonte gropa të thella, disa prej të cilave i përdorte për të kapur kafshë dhe disa të tjera që dukej se i përdorte për t’u fshehur.

Trupi i tij ishte gjetur më 23 gusht në një krevat pranë kasolles së tij të kashtës, thanë zyrtarët, duke shtuar se nuk kishte shenja dhune.

Ai bente pjese te një grup i veçuar indigjen, gjashtë anëtarë të të cilit ishin vrarë në 1995. Ata jetonin në zonën indigjene Tanaru në rajonin brazilian Rondônia, në kufi me Bolivinë.

Shumica e fisit të tij besohet se janë vrarë që prej viteve 1970 nga fermerë e spekulatore që tentonin të zgjeronin tokat e tyre, shkruan rrjeti BBC.

Njeriu i gropave besohet se ishte rreth 60 vjeç dhe ka vdekur nga shkaqe natyrale.

Nuk kishte shenja inkursionesh në territorin e tij, thanë zyrtarët, ndërsa policia shtonte se do të kryhej një investigim post-mortem.

Sipas kushtetutës së Brazilit, popujt indigjenë kanë të drejtë të mbajnë tokën e tyre tradicionale, prandaj ata që duan të zënë tokat e tyre prej kohësh kanë tentuar t’i vrasin.

Për këtë arsye Njeriu i Gropave ishte monitoruar për sigurinë e tij nga agjentë të Zyrës Braziliane të Çështjeve Indigjene (Funai) prej vitit 1996.

Në vitin 2018, ata e filmuan njeriut gjatë një takimi të rastit, ku ai shihet duke prerë një pemë me diçka që i ngjasonte një sëpate.

Nuk ka pasur më tej pamje të tij por zyrtarët kanë gjetur kasolle të tij që ndërtoheshin me kashtë, si dhe gropat e tij disa prej të cilave ksihin gjëmba në fund të tyre.

Provat e gjetura në vendbanimet e tij tregojnë se mbillte misër e rrënjë manioku, si dhe fruta si banane e papaja.

Janë rreth 240 fise indigjene në Brazil, të cilat kërcënohen nga industria e minierave dhe kërkuesit e mineraleve, paralajmëron grupi Survival International, që përpiqet të mbrojë të drejtat e gupeve indigjene.

FOTO GALERI
2/4
Burri njihej si “Njeriu i gropave” pasi gërmonte gropa të thella, disa prej të cilave i përdorte për të kapur kafshë dhe disa të tjera për t’u fshehur.

Top Channel