U la në burg bashkë me dy rusët, ukrainasi ankimon vendimin e Gjykatës së Elbasanit. Kërkon lehtësim mase: Jam në sezon provimesh

29/08/2022 13:45

Ukrainasi  Fedir Alpatov, i cili u arrestua disa ditë më parë në Gramsh bashkë me dy rusë, pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve është ankimuar në Gjykatën e Apelit Durrës duke kundërshtuar masën “arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e Elbasanit dhe kërkuar lehtësimin e masës në “detyrim paraqitje”.

Gjykata e Elbasanit vendosi të lejë në burg më 24 gusht dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Gramsh, edhe pse avokatët kundërshtuan duke theksuar se ata u trembën prandaj përdorën spray.

Sipas ankimimit të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, avokati mbrojtës i ukrainasit, Saimir Vishaj ka listuar arsyet se përse Apeli duhet të pranojë kërkesën për ndryshim mase:

A- Në kërkesat paraprake, pasa seancës së masës së sigurimit, i është kërkuar gjykatës të deklaronte pavlefshmërinë absolute, të processverbalit të deklarimeve të ankuesit si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, të datës 20.08.2022, të kartës së të drejtave të arrestuarit, procesverbalin e kontrollit personal, procesverbalin e sekuetros së makinë s dhe sendeve personale pasi në kundërshtim me nenin 8/2 he dhe 98/2 të KPrP dhe nenit 28/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë i cili shprehet se…personat që nuk flasin gjuhën shqipe pyeten në gjuhën amtare dhe procesverbali mbahet në këtë gjuhë. Në këtë gjuhë përkthehen aktet proceduriale dhe i jepen me kërkesën e tij. Theksojmë para gjykatës që ankuesi është pyetur vetëm në ditën e arrestimit në gjuhën ruse ndërkohë që gjuha amtare e ankuesit është gjuha ukrainase.Në lidhje me këtë fakt në bazë të nenit 128/a dhe 98/3 te KPrP, por gjykata e rrëzoi me shprehjen tipike ” Rrëzim Kërkese” !!!!

B- Edhe në seancën gjyqësore të datës 24.08.2022, nga ana e mbrojtjes, iu kërkua gjykatës që seanca të zhvillohej në bazë të neneve 8 dhe 98 të K.Pr.P në gjuhën ukrainase, por gjykata e rrëzoi kërkesën duke lejuar gjykimin me përkthyes në gjuhën ruse.

C- Në lidhje me ligjshmërinë e arrestit në flagrancë të datës 21.03.2022, duhet të deklarohet i pavlefshëm pasi bie në kundërshtim me nenin 259/4 dhe 251 të KPrP pasi sipas procesverbalit të datës 21.08.2022 arresti është bërë për veprat penale të parashikuara nga neni 213 dhe 214 të KP ndërsa në gjykatë ligjshmëria e arrestit në flagrancë iu kërkua gjykatës për veprat penale 248 dhe 214 të KP, vepra penale këto që nuk kanë lidhje me veprimet apo mosveprimet e ankuesit.

D- Ankuesi është në mohim të faktit penal që i atribuohet, pasi së pari nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur është hedhur sprajt neoparalizues shtetasit Ardian Xheka dhe së dyti nuk ka lidhje me asnjë agjenci spiunazhi si ruse apo të huaj, por qëllimi i vërtetë i ardhjes në Shqipëri ka qenë hobi për të shkuar në vendet ish komuniste dhe fotografimi i bunkerëve apo repartet e braktisura duke i nxjerrë më pas në rrjete sociale, Instagrami etj.

E- Masa e sigurimit personal nuk mund të caktohet nga ana e Gjykatës mbi bazën e akteve administrative dhe jo procedurale. Pohimet e prokurorit në seancë gjyqësore kurrsesi nuk mund të shërbenin si provë.Neni 2\28 pika 1 1 KprP shprehet se…Askush nuk mund t’i nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova….Në seancë gjyqësore nuk është administruar asnjë provë direkte ose indirekte që të provojë dyshimin e arsyeshëm nëse i mbrojturi prej meje është subjekt i dyshuar i këtij fakti apo jo.Pra nuk lypsen vetëm dyshimi i bazuar në prova nëse ka ndodhur një fakt kriminal apo jo,por neni 228/1 I KPrP kërkon dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova edhe për subjektin ndaj të cilit po kërkohet dhe vendoset masa e sigurimit,që në rastin konkret nuk ka asnjë indicie në lidhje me të mbrojturin prej meje. … …… . …

F- Si në kërkesën e prokurorit të seancës dhe në pjesën arsyetuese të vendimit të gjykatës nuk përmendet asnjë fjalë nëse i mbrojturi prej meje po të lihet i lirë mund të ekzistojë rreziku i ikjes,të kryej vepra penale më të rënda apo të vejë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, kritere këto që i kërkon domosdoshmërisht neni 228 pika 3 germa a/b/c të KPrP prandaj I kërkuam gjykatës jo vetëm revokimin e kërkesave të prokurorit por në rast se gjykata vëren që në veprimet e ankuesit ka ndonjë elelement të veprës penale të caktojë dy masa sigurimi si një të detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalimin për të mos dalë jashtë shtetit parashikuar nga nenet 234 dhe 233 te KPrP.

G- Sqarojmë se edhe kryeministri i Shqipërisë Z. E.R bëri deklaratat për shtyp të datës 26.08.2022 ka deklaruar se .. ish reparti ushtarak i
deklasifikuar që nga viti 2012 nuk mund të shërbejë kurrsesi cenim të pavarësisë kombëtare….”. Pra edhe njëherë theksojmë përpara gjykatës se nuk jemi përpara një fakti penal që cenon pavarësinë kombëtare për aq kohë që ministra dhe kryeministri deklarojnë publikisht që nuk jemi përpara cenimit të sovranitetit kombëtar çka kërkon kjo vepër penale në anën objektive dhe subjektive të saj.

Bashkë me dy të tjerët ai akuzohet për “goditje për shkak të detyrës” dhe “dhënia e informacioneve sekrete”.

Avokati thekson se i mbrojturi i tij është arrestuar në Cërrik dhe jo në afërsi të ish repartit ushtarak dhe nuk ka kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm si goditje për shkak të detyrës apo sigurim të dhënash për llogari të një  shteti të  huaj për të cenuar sovranitetin e Shqipërisë.

“Hobi i tij është fotografia sidomos në vendet ish-komuniste që kanë lidhje me bunkerë, repartet ushtarake duke i botuar më pas në rrjete sociale ku kishin edhe grupin e tyre në ketë rrjet. Në Shqipëri ndodhej për pushime ku lekët e skuestruara 6000 $ ia kishte dhënë mamaja e tij Ilona për pushime të cilat fatkeqësisht janë sekuestruar!!!! Tërësisht i pajustifikuar ky arrestim pa asnjë provë dhe pa marrë urdhrin e prokurorit si veprim i ngutshëm për një student!!!Në lidhje me faktin, objekt hetimi i mbrojturi prej meje nuk ka pasur dijeni ne lidhje me ngjarjen. Nuk ka asnjë provë direkte apo indirekte apo dyshim të bazuar në prova që të provoj ekzistencën e klientit tim në këtë vepër penale dhe jo me bashkëpunimin me 2 shtetasit e tjerë”, sipas Vishajt.

Gjithashtu më poshtë theksohet se “ mbrojturi prej meje është person ndaj të cilit  zhvillohen hetime dhe jo i pandehur për ndonjë vepër penale konkrete. Nuk është i dënuar asnjëherë nga gjykatat shqiptare apo të huaja,nuk ka qenë asnjëherë kontigjent i policisë”.

Avokati e konsideron një masë me karakter shtrëngues të rëndë vendimin e Gjykatës së Elbasanit duke theksuar se Aresti me burg vendoset kur një masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veprës dhe të autorit.

“Për sa i përket rrezikshmërisë së personit ajo është shumë e vogël pasi është student dhe i ndërpret proceset edukative mësimdhënie pasi është në sezon provimi”, shkruhet në ankimim.

Si ndodhi ngjarja?

Rreth orës 17:40 të ditës së shtunë 20 gusht, roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit vuri re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai njoftoi përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi, më pas efektivët i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai ka nisur të largohet. Në momentin që personi është ndaluar iu është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar.

Policia ka shoqëruar fillimisht shtetasin rus, Mikail Zorin 24 vjeç, ndërsa janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të uzinës, një vajzë dhe një djalë që shoqëronin atë. Shërbimet e Policisë bllokuan më pas automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse Svetlana Timofoeva 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas Fedir Alpatov 25 vjeç.

Nga një burim diplomatik Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, mësoi se gjatë javës të ardhshme pritet të mbërrijnë në vendin tonë tre agjentë specialë, të një prej shërbimeve më të rëndësishme inteligjente në botë.

Krahas Svetlana Timofeeva dhe Fedir Alpatov për këtë shërbim inteligjent të vendit mik me Shqipërinë,  ka një interes të posaçëm ndaj Mikhail Zorin i lindur në Moskë por student në një vend të BE.

Top Channel mëson se Mikhail Zorin jetonte në Pragë ku ndiqte studimet për Kimi.

Treshja e inteligjencës të vendit mik krahas analizimit të provave të mbledhura deri më tani,  do të synojë të zbulojë detaje të tjera për studentin rus të kimisë Mikhail Zorin.

Detaje te reja. Çfarë iu gjetën tre rusëve që u lanë me masë arresti në burg?

Sakaq Top Channel mëson se grupi i gjerë i hetimit nën udhëheqjen e prokurorit Kreshnik Ajazi,  kanë përftuar detaje të shumta me interes për këtë investigim,  për të provuar se kemi të bëjmë me të dërguar për qëllime spiunazhi nga Rusia në vendin tonë.

Në telefonat e të arrestuarve është gjetur një skicë me shkrim dore e detajuar e hyrjeve dhe vendqëndrimeve të rojeve,  në ish fabrikën ushtarake të Gramshit.

Kjo skicë është dërguar përmes aplikacionit Telegram në një numër me prefix rus.

Të tre rusëve i janë gjetur edhe një shumë monetare e konsiderueshme prej 6.000 dollarësh amerikan.

Grupi hetimin beson se kjo shumë e konsiderueshme parash mund të përdorej prej tyre në të paguarin e bashkëpunëtorëve shqiptarë.

Prandaj një prej pistave ku po hetohet, është edhe evidentimi nëse kanë pasur bashkëpunëtor shqiptarë.

Prokurorët, Drejtoria e Antiterrorit dhe SHISH po analizojnë me kujdes përpjekjen e sponsorizuar nga Rusia,  javën e shkuar, ku u tentua ofrimi për tu intervistuar nga media shqiptare të miqve të Svetlana Timofeeva dhe babait të Mikhail Zorin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA