Athina zyrtare ka përshëndetur marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për lëvizjen e qytetarëve.
Në njoftimin e saj për shtyp Ministria e Jashtme greke thotë se shpreson se ky do të jetë fillimi i një procesi për zgjidhjen e çështjeve të tjera të lëna pezull, teksa thekson mbështetjen e saj për ruajtjen e paqes.
“Greqia mirëpret marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që ka të bëjë me lëvizjen e qytetarëve. Marrëveshja është arritur në kuadër të dialogut të promovuar nga Bashkimi Europian në konsultim me presidentin serb dhe kryeministrin kosovar.
Shpresojmë që ky të jetë fillimi i procesit për fuqizimin e një dialogu të sinqertë dhe zgjidhjes së çështjeve të tjera të mbetura pezull që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vepra punën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajčák. Greqia vazhdon të punojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor¨.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht arritën marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve. Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes. Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar prej 11 vitesh, ndërsa Kosova lëshoi dokumente të tilla vetëm për disa orë gjatë 1 gushtit.
Top Channel