Ministrja belge e Energjisë paralajmëroi se vendet e BE-së do të përballen me pesë deri në 10 dimra të tmerrshëm nëse nuk bëhet asgjë për të ulur çmimet e gazit natyror.
Gjithmonë e më shumë po shtohen thirrjet për vendosjen e një tavani mbi çmimin e gazit dhe shkëputjen e tij nga çmimi i energjisë elektrike.
Vendet e bllokut europian po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë që kur furnizuesi kryesor i tyre, Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, duke nxitur vendosjen e sanksioneve ndaj saj.
Vendet që mbështesin Ukrainën po përpiqen t`i reduktojnë importet e gazit dhe naftës ruse, por kjo po vjen me një kosto të lartë.
Rusia, që vitin e kaluar furnizoi BE-në me 40% të gazit të saj, i ka tkurrur tani dërgesat e saj. Për ministren belge të Energjisë Tinne Van der Straeten, çmimet e gazit në Europë duhet të ngrijnë urgjentisht, ndërsa insistoi nga ana tjetër se dhe lidhja mes çmimit të gazit e asaj të energjisë elektrike është artificiale dhe duhet të reformohet.
“Pesë deri në 10 dimrat e ardhshëm do të jenë të tmerrshëm nëse nuk bëjmë asgjë. Duhet të veprojmë në rrënjën e problemit, në nivel evropian dhe të punojmë për të ngrirë çmimet e gazit”, tha Tinne Van der Straeten, ministre energjie në Belgjikë.
Çmimet e energjisë elektrike kanë qenë gjithashtu në rritje në Europrë dhe këtë javë mbërritën një nivel rekord.
“Duhet ta ndalojmë këtë çmenduri që po ndodh në tregjet e energjisë”, deklaroi kancelari i Austrisë Karl Nehammer. Çmimet e energjisë elektrike duhet të ulen, tha ai, ndërsa i bëri gjithashtu thirrje BE-së të shkëpusë çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.
Top Channel