Pasi Kosova dhe Serbia ranë dakord për dokumentet në kufi kryeministri Albin Kurti nuk tërhiqet nga zbatimi i vendimit për targat.  Në një intervistë për BBC ai deklaroi se serbët kanë kohë dy muaj për të ndryshuar targat.

Në emisionin “Hard Talk” Kurti foli mbi bisedimet që çuan drejt normalizmit të kalimit në kufirin mes dy vendeve. Kemi pasur bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”, ka thënë Kurti, duke falënderuar Përfaqësuesin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Duke folur edhe për afatin që u është dhënë serbëve që të pajisin automjetet e tyre me targa të Kosovës, RKS, Kurti u shpreh se atyre u janë dhënë dy muaj kohë për t’u pajisuar me targat e Republikës së Kosovës.

“Më 1 tetor shpresojmë që të mos kemi dokumente që nuk janë legjitime, pëervec atyre të njohura si RKS apo Republika e Kosovës. Një gjë e tillë nuk është kundër serbëve, por po bëhet për respektim të ligjit dhe të reciprocitetit”, ka theksuar ai.

Në fund, Kurti ka theksuar se një nga faktorët që çoi në arritjen e marrëveshjes është se më 1 gusht, Kosova ua lëshoi serbëve mbi dymijë dokumente me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.

Shefi i diplomacisë Evropiane Josep Borrell foli dje  për aritjen e një marrëveshjeje  për dokumentet identifikuese mbi parimet evropiane, dhe  problemin e targave.

Josep Borrell:  “Pres që dy liderët të tregojnë pragamtizëm e konstruktivitet, për të zgjidhur problemin me targa. Kam thënë shumë herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që BE-ja që po përballet, ne në Evropë nuk kemi nevojë për probleme, nuk kemi nevojë për tensione. Duhet zgjidhje, duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor.”

Kosova zbatoi reciprocitetin më 1 gusht me një akt që serbia e bën prej vitesh duke mos lejuar kalimin e shtetasve të Kosovës me dokumente që mbajnë mbishkrimin republika e kosovës, gjë që pritet të marrë fund me akordin që u arrit të shtunën

Top Channel