Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese

Përmes një statusi në rrjetin soacial “Twitter”, Borell njofton se tashmë kemi një marrëveshje. Nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjeve dhe daljeve për shtetasit me ID të Kosovës, dhe Kosova u dakordua të mos i paraqesë ato për shtetasit me ID serbe, shkruan ai.

“Serbët e Kosovës, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm midis Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë rezultat. Kjo është një zgjidhje evropiane! I përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe lidership”.

Në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave qëndruan në Prishtinë dhe Beograd ku u takuan me liderët politikë. Escobar propozoi shtetësinë e dyfishtë si zgjidhje për serbët në Kosovë, ndërsa insistoi që të dy palët të angazhohen se nuk do të ketë dhunë.

Vendimi i 26 qershorit i Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe rriti tensionet në veri të vendit.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugë në shenjë pakënaqësie për këto dy vendime. Kosova më pas shtyu zbatimin e tyre deri më 1 shtator.

Top Channel