Qindra vetë u mblodhën përpara parlamentit grek në shenjë proteste ndaj skandalit të spiunazhit që po trondit qeverinë konservatore të Kyriakos Mitsotakis, pas zbulimeve se kreu i Partisë Socialiste Greke, Nikos Androulakis dhe dy gazetarë janë përgjuar.

Tubimi u mbajt në prag të debatit në parlament mbi këtë cështje, që u kërkua nga partitë opozitare.

“Jemi këtu për ta nxjerrë edhe më shumë në pah këtë skandal, sepse e vërteta është se kjo jo vetëm e ka kthyer në objekt talljeje vendin tonë në mbarë botën, se po i  lexojmë  artikujt e botimet dhe po i  dëgjojmë diskutimet që janë ndezur nga kjo çështje deri Parlamentin Europian, por edhe për faktin se kjo është një zgjedhje politike e Kyriakos Mitsotakis, sepse ai e dinte dhe ky ishte vendim i tij.”- tha Orestis Triantafyllou, student

“Ky rast duhet të zbardhet totalisht, çdo aspekt i tij, jo vetëm çështja e  Nikos Androulakis apo kundërshtarëve politikë. Duhet të ndryshojë kuadri ligjor, në mënyrë që ky mekanizëm i errët, për të cilin kryeministri ka përgjegjës të plotë, të zhduket një herë e mirë.”- tha Anastasia Stavropoulou, Organizata Nisma e Avokatëve për të Drejtat dhe Liritë Demokratike

Disa ditë më parë, një artikull i New York Times theksonte se Greqia ishte zhytur në një shtet policor sekret që përdor programe përgjimi  dhe mbikëqyrjeje ligjore me më shumë se 15,000 urdhra vetëm vitin e kaluar . Gjithashtu  pjesë e fjalorit grek është bërë programi Predator, një spyëare që vendoset në telefonat celularë për përgjim.

Shkrimi kujtonte sesi babai i z. Mitsotakis është akuzuar se përgjonte kundërshtarët e tij politikë 30 vjet më parë kur ishte kryeministër, nënvizon faktin se i biri, Kyriakos Mitsotakis  kur erdhi në pushtet në 2019,morri edhe kontrollin personal të Shërbimeve të Inteligjencës duke emëruar në krye të tij një shef besnik, të cilin e pushoi pas shpërthimit të skandalit, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të qeverisë,të cilin e kishte edhe nip.

Top Channel